U diagnostikua me kancer, ish-senatori amerikan Ben Sasse: Nuk kam për t’u dorëzuar

23/12/2025 20:39

Ish-senatori republikan i SHBA-së, Ben Sasse, ka njoftuar se është diagnostikuar me kancer pankreatik në fazën e katërt, një sëmundje që ai e përshkroi si fatale.

Lajmi u bë publik të martën përmes një postimi në rrjetin social X. Sasse deklaroi se kanceri pankreatik në fazë të avancuar konsiderohet një “dënim me vdekje”, duke shtuar se po e përballon situatën me realizëm dhe vendosmëri.

“Nuk do të dorëzohem pa luftë,” shkroi ai.

Ben Sasse përfaqësoi shtetin e Nebraskës në Senatin amerikan nga viti 2015 deri në vitin 2023.

Pas largimit nga Senati, ai u emërua president i 13-të i Universitetit të Floridës, por dha dorëheqjen nga ky post vitin e kaluar për t’u përqendruar në kujdesin ndaj familjes, pasi bashkëshortja e tij u diagnostikua me epilepsi.

Gjatë mandatit të tij në Senat, Sasse u shqua për qëndrime kritike ndaj ish-presidentit Donald Trump dhe ishte një nga shtatë republikanët që votuan për fajësimin e tij pas trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së.

Në mesazhin e tij, Sasse theksoi mbështetjen e fortë nga familja dhe miqtë, si dhe shpresën që i japin përparimet e fundit shkencore, veçanërisht në fushën e imunoterapisë, duke theksuar se procesi i të jetuarit deri në fund mbetet pjesë e jetës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB