Prag Krishtlindjesh, Rusia kryen sulm masiv ndaj Ukrainës/ Tre të vdekur, mes tyre një fëmijë

23/12/2025 18:24

Rusia ka kryer një sulm masiv gjatë natës në disa qytete të Ukrainës, vetëm një ditë pasi kishte paralajmëruar për goditje gjatë periudhës së Krishtlindjes.

Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se të paktën tre persona u vranë, mes tyre një fëmijë katërvjeçar, ndërsa infrastruktura energjetike u dëmtua rëndë, duke lënë disa rajone pa energji elektrike.

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi 635 dronë dhe 38 raketa, prej të cilave 621 u rrëzuan.

Megjithatë, disa goditje arritën objektivat e tyre, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha.

Duke folur për BBC-në, Zelensky tha se “njerëzit thjesht duan të jenë me familjet e tyre, në shtëpi dhe të sigurt” në prag të Krishtlindjes, por se sulmet dërguan “një sinjal jashtëzakonisht të qartë për prioritetet e Rusisë”, pavarësisht bisedimeve për paqe.

Ai akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se “ende nuk mund të pranojë se duhet të ndalojë së vrari”, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Moskës.

Autoritetet në rajonin qendror Zhytomyr konfirmuan se fëmija katërvjeçar u dërgua në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Pesë persona të tjerë u plagosën.

Në rajonin e Kievit, një grua 76-vjeçare u vra dhe tre të tjerë u plagosën pasi një shtëpi u godit nga sulmi. Ndërkohë, në Khmelnytskyy, në Ukrainën perëndimore, humbi jetën një burrë 72-vjeçar.

Si masë sigurie, avionë luftarakë polakë u ngritën në ajër për shkak të raketave dhe dronëve që po drejtoheshin drejt Ukrainës perëndimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB