Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, është në bisedime me kompaninë hungareze, MOL, për një shitje të mundshme të aksioneve të tij shumicë në NIS, rafinerinë e vetme të naftës në Serbi, deklaroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Shtetet e Bashkuara shpallën sanksione të gjera që synonin sektorin e naftës të Rusisë në janar, për shkak të luftës së Moskës në Ukrainë, por për NIS-in zbatimi i tyre u shty disa herë përpara se të hynte përfundimisht në fuqi më 8 tetor.
“Ne kemi informacione se përfaqësuesit e Gazpromit po bisedojnë, mes të tjerash, me kompaninë hungareze MOL, dhe ne nuk kemi asgjë kundër kësaj. Hungarezët janë miqtë tanë”, tha Vuçiç.
“Ne duhet ta përfundojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, deri më 15 janar”, shtoi ai.
Bankat kanë ndalur përpunimin e pagesave të NIS-it për shkak të sanksioneve. Ndërkohë, tubacioni kroat, JANAF, ka ndaluar furnizimin e rafinerisë me naftë bruto.
Gazprom zotëron 11.3 për qind të aksioneve në NIS, ndërsa dega e tij e sanksionuar, Gazprom Neft, ka 44.9 për qind. Qeveria e Serbisë zotëron 29.9 për qind, ndërsa pjesa e mbetur u përket aksionarëve të vegjël dhe punonjësve.
Vuçiç tha gjithashtu se marrëveshja e furnizimit me gaz të Serbisë me Rusinë do të zgjatet edhe për tre muaj të tjerë.
Ky shtet ballkanik mbetet një nga blerësit e paktë të mbetur në Evropë të gazit natyror rus.
Qeveria serbe, e cila synon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, është përballur me presion nga vendet perëndimore për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, por ende nuk ka ndërmarrë veprime në këtë drejtim./REL
Top Channel