“Kolegët po fshihen”, Deputetët e PD zënë vendet në Këshillin e Mandateve për kërkesën e SPAK për Ballukun. PS nuk paraqitet, Manja: Do shkoj te votuesit

23/12/2025 11:34

Pas përfundimit të mbledhjes të Sekretariatit të Etikës, deputetët e PD që janë anëtarë të Këshillit të Mandateve, kanë shkuar në ambientet ku zhvillohen mbledhjet.

Në zyrën ku mungojnë socialistët, janë vetëm anëtarët e PD, të cilët kanë kërkuar që këtë të martë të mbahet mbledhja për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Zv. kryeministres Belinda Balluku.

Ndërkohë, Ulsi Manja pas mbylljes së mbledhjes te “Etika” tha se do të shkonte te votuesit, duke lënë të kuptohet se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen që ka kërkuar PD te “Mandatet”.

“Kolegët e mazhorancës, që përfaqësojnë krimin në Kuvend, janë fshehur. Nuk u paraqitën në mbledhjen e thirrur nga 5 anëtarë. Pengimi i drejtësisë, me urdhër politik të Ramës, është akti më i rëndë që ka kryer ky Kuvend gjatë këtyre viteve demokracie. Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë Kuvendin e Shqipërisë të mos mbledhë Këshillin e Mandateve dhe të ushtrojë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku. Cilido që kërkon të mos arrestohet, kërkon ta zvarrisë çështjen. Nuk ka asnjë person në botë që shkon me qejf në burg. Zonja Balluku po tenton ta zvarrisë çështjen në Kuvend. Pse anëtarët e këtij Këshilli bëhen zëdhënës të Ballukut?”, tha Bardhi.

Pas shtyrjes së mbledhjes së parë të Këshillit të Mandateve, nuk u caktua një datë se kur do të mblidhen sërish, ndërsa kanë marrë kohë për t’u njohur me dosjen që SPAK ka për Ballukun. PD kërkoi që mbledhja të mbahet sot, pasi sipas tyre tre ditë ishin të mjaftueshme për t’u njohur me aktet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB