Trump “spastron” ambasadorët, shkarkohen 30 diplomatë nga administrata e Biden

22/12/2025 12:48

Administrata Trump ka vendosur të tërheqë gati 30 diplomatë karriere nga postet ambasadoriale dhe pozicione të tjera të larta nëpër ambasada, teksa po lëviz për të riformësuar qëndrimin diplomatik të SHBA-së jashtë vendit me personel që konsiderohet se mbështet plotësisht prioritetet “Amerika e Para” të presidentit republikan, shkruan The Guardian.

Krerët e misione diplomatike në të paktën 29 vende u informuan javën e kaluar se mandatet e tyre do të përfundonin në janar, sipas dy zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, të cilët folën në kushte anonimiteti lidhur me lëvizjet e brendshme të personelit. Të gjithë ata i kishin marrë postet e tyre në kohën e administratës së Joe Biden, por i kishin mbijetuar një spastrim fillestar në muajt e parë të mandatit të dytë të Trump që shënjestronte kryesisht të emëruarit politikë. Kjo ndryshoi të mërkurën kur filluan të merrnin njoftime nga zyrtarët në Uashington për largimet e tyre të afërta.

Ambasadorët shërbejnë sipas dëshirës së presidentit, megjithëse zakonisht qëndrojnë në postet e tyre për tre deri në katër vjet. Zyrtarët sqaruan se ata që preken nga riorganizimi nuk  do t`i humbasin vendet e tyre të punës në shërbimin e jashtëm, por do të kthehen në Uashington për detyra të tjera nëse dëshirojnë t’i marrin ato. Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentojë mbi numrat specifikë ose ambasadorët e prekur, por mbrojti ndryshimet, duke i quajtur ato “një proces standard në çdo administratë”.

Më e prekur nga këto largime rezulton kontinenti afrikan me ambasadorë të larguar nga 13 vende. E dyta vjen Azia me ndryshime ambasadorësh në gjashtë shtete, e katër vende preken dhe në Europë, ndër to Maqedonia dhe Mali i Zi.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB