Trump emëron guvernatorin e Luizianës të dërguar special në Groenlandë: Jeff e kupton se sa thelbësore është siguria kombëtare
Policia australiane beson se dy autorët e sulmit të përgjakshëm antisemit në Bondi Beach të Sidneit, që ndodhi më 14 dhjetor dhe la pas 15 viktima, janë trajnuar brenda territorit australian përpara se të kryenin masakrën.
Ky përfundim bazohet në dokumente gjyqësore të bëra publike sot. Sipas këtyre dokumenteve, autoritetet kanë sekuestruar një video të realizuar me telefon celular, ku shfaqen Sajid Akram dhe djali i tij, Naveed Akram, të ulur përpara një flamuri të organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS). Në pamje, ata dëgjohen duke recituar vargje nga Kurani dhe duke bërë thirrje kundër “sionistëve”, çka përforcon dyshimet për radikalizim dhe frymëzim ideologjik terrorist.
Babai, Sajid Akram, u vra nga policia në vendngjarje gjatë ndërhyrjes, ndërsa djali i tij, Navid, i cili mbeti i plagosur, u transferua nga spitali në burg, konfirmuan autoritetet. Hetimet tregojnë se të dy kishin qenë të pranishëm në Bondi Beach disa ditë para sulmit dhe ishin parë shpesh në të njëjtën zonë, çka sugjeron se masakra ishte e planifikuar.
Policia bëri gjithashtu të ditur se pranë plazhit, në një automjet të regjistruar në emër të djalit, u gjetën dy banderola të ISIS-it si dhe pajisje shpërthyese të improvizuara.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, reagoi ashpër ndaj ngjarjes, duke e cilësuar sulmin si një “akt terrorist antisemit”, të kryer nga persona të frymëzuar nga “ideologjia e urrejtjes” dhe nga propaganda e Shtetit Islamik. Ai bëri thirrje për mbështetje ndërpartiake në parlament për miratimin e një pakete ligjore që do ta konsiderojë gjuhën e urrejtjes si rrethanë rënduese penale, si dhe për masa të tjera kundër ekstremizmit.







“Nuk do t’i lejojmë terroristët e frymëzuar nga Shteti Islamik të fitojnë. Nuk do t’i lejojmë ata të ndajnë shoqërinë tonë. Do ta kalojmë këtë së bashku,” deklaroi Albanese para mediave.
Pas kësaj masakre, qeveria e Uellsit të Ri Jugor, me kryeqytet Sidnein, njoftoi atë që e cilësoi si “reformat më të forta për armët” në vend në pothuajse 30 vjet. Sipas masave të reja, numri i armëve që një qytetar mund të zotërojë do të kufizohet në katër, ndërsa do të ketë përjashtime për fermerët në zonat rurale, të cilët do të lejohen të kenë deri në dhjetë armë.
Hetimet për sulmin në Bondi Beach vijojnë, ndërsa autoritetet australiane po analizojnë rrjetet e mundshme të radikalizimit dhe mbështetjes që çuan në një nga aktet më të rënda terroriste në historinë e fundit të vendit.
Top Channel