Izraeli miraton mbylljen e radios së ushtrisë, Netanyahu përshëndet vendimin: Nuk duam të jemi si Koreja e Veriut, ata transmetojnë…

22/12/2025 16:58

Qeveria izraelite ka miratuar mbylljen e Radios Ushtarake të vendit pas 75 vitesh transmetimi, në një veprim që mbyll një nga institucionet më të vjetra mediatike të Izraelit.

Sipas propozimit, të paraqitur nga Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, stacioni, i njohur si Galei Tzahal, do të ndërpresë operacionet më 1 mars.

Rezoluta u miratua unanimisht, pavarësisht kundërshtimit nga Prokurori i Përgjithshëm Gali Baharav-Miara, i cili paralajmëroi në një memorandum zyrtar se vendimit i mungonte baza e nevojshme faktike dhe profesionale dhe se përparimi i tij shkelte ligjin.

“Vendimi është pjesë e një mase më të gjerë për të minuar transmetimin publik në Izrael dhe për të kufizuar lirinë e shprehjes”, tha Baharav-Miara në një deklaratë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshëndeti vendimin, duke thënë se “një stacion ushtarak që transmeton nën autoritetin e ushtrisë ekziston në Korenë e Veriut dhe ndoshta në disa vende të tjera, dhe ne sigurisht nuk duam të jemi midis tyre”.

Këshilli i Shtypit i Izraelit, Unioni i Gazetarëve Izraelitë dhe grupe të tjera të shoqërisë civile kanë thënë se do ta kundërshtojnë vendimin në Gjykatën Supreme.

Katz njoftoi qëllimin e tij për të mbyllur Radion e Ushtrisë muajin e kaluar, mes një shtytjeje më të gjerë qeveritare për të konsoliduar kontrollin mbi sferën e medias, duke përfshirë një reformë dramatike të rregullimit të transmetimit që do t’i jepte qeverisë autoritet të plotë për të gjobisë dhe sanksionuar mediat.

Katz tha në një deklaratë se “një realitet në të cilin një stacion radioje, i destinuar për të gjithë qytetarët, drejtohet nga ushtria, është një anomali që nuk ekziston në vendet demokratike”.

“Kjo anomali shkakton vështirësi të konsiderueshme për IDF-në që rrjedhin nga përfshirja e pavullnetshme e IDF-së në diskursin politik. Angazhimi i stacionit në përmbajtje politike dëmton Forcat Mbrojtëse të Izraelit, ushtarët e saj dhe unitetin e saj”, tha Katz.

Udhëheqësi i opozitës, Yair Lapid, e dënoi vendimin, duke e quajtur atë “pjesë të fushatës së qeverisë për të shfuqizuar lirinë e fjalës në Izrael gjatë një viti zgjedhor”.

“Ata dështojnë të kontrollojnë realitetin, kështu që përpiqen të kontrollojnë vetëdijen. Kudo që ka një të vërtetë që qeverisë nuk i pëlqen, ata veprojnë për ta eilminuar atë. Qeveria nuk di si të merret me koston e jetesës, neglizhencën e sigurisë… kështu që mbyll median”, tha Lapid.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB