Fiks Fare/ “Paratë e bamirësisë për baltë e llucë”, pas degradimit të lagjes në Ishëm bëhet tender për studime sizmologjike

22/12/2025 21:20

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës degradimin e një lagje të ndërtuar me paratë e shqiptarëve në formën e bamirësisë, për të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

Megjithëse janë mbushur plot 6 vjet nga ajo tragjedi, procesi i rindërtimit po vonohet dhe mijëra familje janë ende sot në qiell të hapur, me sytë nga burokratët e zyrave, të cilët vetëm sa zvarrisin ndërtimin apo detajet e tjera.

Paratë s’kanë munguar, qoftë nga qeveria e cila akordoi më shumë se 1 miliardë euro, të marra në formë dhuratash e grantesh, apo edhe nga kreditë me interesa të ulëta nga BE-ja. Për të njëjtën tragjedi u sensibilizuan qindra mijëra shqiptarë që jetojnë anë e mbanë botës, të cilët bën donacione në shoqata të ndryshme.

Një lagje e tërë u tentua që të ndërtohej me paratë e bamirësisë, në zonën e Ishmit në Durrës, një nga vendet më të prekura nga tërmeti. Grupi i Fiks Fare udhëtoi në Njësinë Administrative Ishëm, ku janë ndërtuar 39 banesa individuale për të prekurit nga tërmeti i vitit 2019. Ndërtimin e ka bërë një shoqatë shqiptaro-amerikane, ku shteti i ka gjetur truallin dhe godinat i ka bërë privati.

Banesat janë ndërtuar në majë të një kodre, buzë rrugës nga fshati Lalz në drejtim të Ishmit. Terreni është i pjerrët dhe kur u ndërtua, veçse u sheshua vendi. Pa asnjë infrastrukturë tjetër. Fiksi filmoi gjendjen e banesave, gjithë ujë, me lagështirë dhe baltë. Oborret e disa banesave ishin mbushur me ujë. Megjithëse për më shumë se 1 vit e gjysmë nga ky ndërtim, sërish banesat janë të braktisura. Në atë lagje është futur vetëm një familje, ajo e mësuesit Agim Muharremi.

“Unë jam një ish mësues i dekoruar dy herë. Tërmeti na la pa banesë dhe u bë kjo lagja. E kanë lënë në atë gjendje që po e shikoni. Kanë filluar të vjedhin, si në Shqipëri. Ne na futi firma që i bëri, krahas strehimit ruajmë edhe banesat. S’kanë bërë asnjë gjë, gjithë ujë e baltë. S’i kanë përfunduar. Banesat janë lënë në mëshirë të fatit, s’kujtohet asnjë që t’i mbarojë dhe të futen banorët” thotë Agimi.

Ndërkohë, emisioni investigativ bisedoi me Emirian Baftin, administratori i Njësisë Ishëm, Durrës. “S’kam asnjë lloj shkresë, asnjë lloj gjëje nga Bashkia e Durrësit se çfarë do bëhet. Nuk di pra se çfarë lloj marrëveshje kanë tani. Banorët e prekur nga tërmeti jetojnë te të afërmit, te familjarët” tha ai.

Por, kush i ndërtoi dhe pse janë lënë në mëshirë të fatit?

Fiksi bisedoi me ish-kryetarin e Njësisë Administrative Ishëm, Kadri Gjyli, i cili tregoi se financimi është bërë nga një shqiptaro-amerikan Marko Kepi. “Financimin e bëri shoqata, truallin e gjeti dhe ia bëri gati bashkia. Ndërtimet janë bërë nga një firmë private, e paguar nga shoqata. Unë kam disa muaj që s’kam më Administrator i Ishmit, por di që Bashkia e Durrësit do të bëjë punimet e tjera, dërgimin e energjisë elektrike, kanalizimet, ujin e pijshëm etj” tha ai.

Fiksi bisedoi edhe me firmën e ndërtimit, Pjetër Prela, e cila thotë se pagesa është bërë nga shoqata dhe ndërtimet kanë përfunduar prej më shumë se 1 viti e gjysmë. “Ne i kemi bërë në bazë të kontratës. Janë ndërtuar 39 banesa. S’i kemi dorëzuar çelësat, pasi s’ka infrastrukturë. Ne do të bënim vetëm godinat. Tani kanë filluar të vjedhin. Kemi futur një familje që s’ka banesë vetëm që t’i ruajë. Po tani po degradohen edhe ato që kemi bërë” thotë pronari i firmës.

Fiksi ka mësuar se prej më shumë se 1 viti e gjysmë, gjendja është e njëjtë. Banesat janë ndërtuar dhe askush s’është futur brenda. Tashmë pas 1 viti e gjysmë, Bashkia e Durrësit ka hapur një tender, me objekt “ndërtimi i infrastrukturës rrugore për njësitë e banimit Ishëm”. Fondi limit është 64.7 milionë lekë, ose rreth 650 mijë euro.

Fiks Fare shfletoi dokumentet shoqëruese, ku bashkia e Durrësit kërkon që zona ti nënshtrohet një studimi inxhinieriko-sizmik. Tashmë do të bëhet studimi për të parë nëse zona është e përshtatshme për ndërtim a jo?! Por nëse del që s’është e përshtatshme, çfarë ndodh? Në të njëjtin tender, Bashkia e Durrësit kërkon edhe studimin gjeologjik, teksa në gjithë zonën do të bëhen pilota me qëllim që toka të mos rrëshqasë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB