“Exclusive”/ Nga demonstrata e Shkodrës dhe revolta e Kavajës, korriku i ambasadave, ikja e Kadaresë te Lëvizja e Dhjetorit, viti ’90 që ndryshoi historinë

22/12/2025 07:08

Viti i Ri 1990 e gjeti Shqipërinë më të varfër se kurrë. Shqiptarët u mblodhën në heshtje rreth tryezës së fundvitit, por brenda tyre ishte ndezur shpresa e ndryshimit, sikurse kishte ndodhur më herët në Hungari, Çekosllovaki, Poloni, Hungari, Bullgari, Rumani.

Mbi të gjitha, në Moskë, aty ku mori jetë sistemi komunist u dha impulsi i madh nga udhëheqësi i ri, Mikhail Gorbaçov, me reformat që i hapën rrugë demokratizimit…

Preç Zogaj, publicist, shkrimtar, në një intervistë për gazetaren Sara Hila, në “Exclusive” në Top Channel thekson se ndryshimet demokratike në Shqipëri nuk mund të kuptohen pa valën e madhe të transformimeve në Europën Lindore, por ai nënvizon se shqiptarët e bënë kalimin me përpjekjet e tyre.

Sipas tij, ndonëse Shqipëria ishte “guri i fundit i dominosë” për shkak të një diktature më të egër, ndryshimi erdhi falë guximit të njerëzve të zakonshëm. Pikërisht këta qytetarë, thotë Zogaj, kryen vepra të jashtëzakonshme dhe i dhanë Shqipërisë një vend të denjë në historinë e lirisë.

Pa ndryshimet në Lindjen ish-komuniste, vështirë se do të kishte ndryshime në Shqipëri. Shembja e sistemit komunist në Lindje filloi në Poloni, me finalizimin e një përpjekjeje shtatë vjeçare. Më pas, në një tryezë të rrumbullakët, u vendos që Polonia të kalonte në sistemin demokratik shumëpartiak. Me shembullin e Polonisë më pas vazhdoi si aksion zinxhir në Çekosllovaki, Hungari, Bullgari. Në Rumani pati një ndryshim të dhunshëm, ku sekreti i parë i Komitetit qendror u pushkatua bashkë me gruan. Shqipëria ngeli si guri i fundit i dominosë, diktatura këtu ka qenë shumë më e egër, kjo justifikon faktin që Shqipëria e bëri ndryshimin një vit më vonë, por e bëri me përpjekjet e veta. Prandaj them që në koncertin e madh të lirisë, Shqipëria merr pjesë denjësisht me aktet e saj, që i kryen denjësisht njerëzit e thjeshtë. Ishin njerëz të zakonshëm që bënë vepra të jashtëzakonshme”, shprehet ai.

Viti 1990 ishte i mbushur me zhvillime të rëndësishme që ndryshuan historinë e Shqipërisë. Nga janari deri në dhjetor, qytetarët e thjeshtë u bënë protagonistë të ngjarjeve të mëdha, të cilat sollën rrëzimin e sistemit komunist dhe hodhën themelet për demokracinë në vendin tonë.

1990 shënoi fundin e epokës 45-vjeçare të sistemit komunist, që la gjurmë të thella në historinë e Shqipërisë.

Vendi më i mbyllur, më i braktisur dhe më i harruar i Europës do të dilte i papritur si guri i fundit i dominosë në lojën e madhe të përmbysjeve demokratike, duke tërhequr mbi vete një vëmendje të panjohur më parë”, shkruan publicisti Preç Zogaj, në librin “Fillimet”, ku rrëfen të vërtetën e tij për vitet ‘90-‘92. Kishte nisur numërimi mbrapsht, por si do ta bënte Shqipëria kalimin nga diktatura në demokraci?

**

 

Në ditët e para të vitit të ri 1990, Shkodra dha sinjalin e parë kur shkodranët guxuan të mendonin dhe diskutonin mes njëri-tjetrit planin për rrëzimin e bustit të Stalinit, diktatorit nga Gjeorgjia e largët, portreti i të cilit u vriste sytë.

Shkodranët e tallnin regjimin me batuta, por tashmë ishte çasti për veprime konkrete. Fillimisht, caktuan datën 11 janar, në festën zyrtare të Republikës, por për shkak se në shesh u mblodhën vetëm një grusht njerëzit të përbetuarit për rrëzimin e bustit caktuan ditën e diel, në 14 janar ’90.

Gjergj Livadhi në një intervistë për “Exclusive” shprehet se “Në datën 11 janar, u grumbulluam këtu para xhamisë, ishim rreth 50 persona. Ishte ditë pushimi, erdhi edhe ambasadori gjerman, por ishim pak njerëz dhe e lamë për ditën e diel, më datë 14. Ato tri ditë u shpërndamë për të mobilizuar njerëzit, ishin ditë shumë të mundimshme, por edhe shumë të guximshme, kryesisht u mblodh klasa punëtore, intelektualë ishin më pak”.

Ideja e demonstratës po përhapej me shpejtësi si ethe në Shkodër. Rin Monajka Dedë Kasneci e shumë të tjerë kishin dalë hapur me thirrjet e tyre, duke u rënë në sy vetë oficerëve dhe policëve, që i vunë prangat në mesnatë.

Në 13, unë, Ded Kasneci, Flamur Elbasani u arrestuam. Në shesh ishte caktuar që do të fliste dikush dhe më pas do të rrëzohej statuja e Stalinit”, shton ai.

Të nesërmen, mbi tre mijë njerëz u mblodhën në heshtje rreth bustit, këtë herë jo për ta nderuar. Pritën gjatë se dikush do fliste dhe do u printe, por këtë nuk e bëri asnjë. Akrepat e orës lëviznin dhe më vonë kuptuan se shokët ishin arrestuar. Të hidhëruar, u shpërndanë, por i dhanë vendit betejën e parë kundër regjimit.

Kryengritjen e bëri Shkodra dhe shkodranët, nuk e bëra vetëm unë, as Deda vetëm… u dënuam 10 njerëz në sallë të gjyqit! Kemi bërë nga një vit e gjysmë në burg. S’na kanë lënë njeri të familjes pa marrë në hetuesi. Në Shkodër u bë terror në atë kohë, u arrestuan 630 njerëz, u internuan 2-3 familje, u çuan në psikiatri gjashtë veta. Revolta ishte e tërë Shkodrës”, thekson Gjergj Livadhi.

Ndërsa analisti dhe publicisti Preç Zogaj thotë “Ajo është demonstrata më e çuditshme që Shqipëria i tregoi botës sepse mijëra njerëz u mblodhën rreth statujës dhe rrinin në pritje. Ishte demonstratë e heshtur, por kishte shumë kuptim, sepse tregonte që njerëzit e kishin përqafuar idenë. Pati dënime shumë të ashpra. Regjimi me një censurë të ashpër tentoi që të mos merrej vesh ajo që ndodhi në Shkodër, por fjala doli. U mor vesh që në Shkodër diçka kishte ndodhur”.

 

**

Kur organizatorët e 14 janarit torturoheshin në burgje, në Kavajë po çelnin lulet e para të pranverës demokratike. Në shkollën e mesme “Merdar Shtylla” nisën të shpërndaheshin traktet e para antikomuniste. Demonstrata që nuk lindi në mënyrë spontane, por si rezultat i një urrejtjeje ndër vite ndaj regjimit diktatorial u caktua të niste nga stadiumi Besa në ndeshjen Besa – Partizani në 25 mars. Në mes të ndeshjes, në stadiumin që jehonte nga mijëra qytetarë, Rexhep Rugeja u ngrit i pari, pa pritur minutat e fundit të ndeshjes siç ishte rënë dakord dhe shpërtheu me thirrje kundër sistemit. Tifozët u shndërruan në protestues! Ishte protesta e parë më e fuqishme antikomuniste në vend.

Rexhep Rugeja rrëfen se protesta e Kavajës nuk ishte një shpërthim i rastësishëm, por rezultat i një pakënaqësie të grumbulluar prej kohësh ndaj mungesës së lirisë dhe varfërisë. Ai përshkruan momentin kur thirrjet për demokraci u shndërruan në përballje të drejtpërdrejtë me regjimin, duke treguar dhunën brutale të policisë dhe torturat çnjerëzore pas arrestimit. Sipas Rugejës, revolta erdhi nga shpirti dhe ndërgjegjja e njerëzve, jo nga ndikime të huaja, duke dëshmuar guximin dhe sakrificën e protestuesve.

“Kavaja kishte kohë që në rrethe të ngushta, njerëzit flisnin me zë të ulët për liri dhe demokraci. Flisnin për produktet ushqimore që mungonin, grupet filluan të bashkoheshin, u shpërndanë traktet e para. Një javë më parë, kishim diskutuar që në mbledhjen Besa-Partizani do të shpërthenim me dy gishta lart dhe do brohorisnim ‘liri, demokraci’. Ajo ditë erdhi, unë shpërtheva ‘Enver-Hitler’, ishte urrejtja e madhe që më shtyu të reagoja para kohe. Kalova hekurat e stadiumit dhe para meje kaloi një kamerë e ish-sigurimit të shtetit, shokët më ulën në vend. U ngrita sërish, me po të njëjtat thirrje, shokët goditën me gurë kameramanin. Grupi ynë filloi të hidhte parulla ‘Poshtë diktatura komuniste’, ‘Liri, demokraci’. Policët, stampistët u vërsulën për të më arrestuar. Filluam të përlesheshim me stampistët, filloi përleshja trup më trup, ata kapën vëllanë tim dhe e torturuan përpara 12 mijë shikuesve. Shokët s’më lanë të shkoja, hyri babai im, tha ‘lëreni se e vdiqët’

Të nesërmen e 26 marsit më arrestuan edhe mua, më morën zvarrë, më rrahën në mënyrën më barbare. Duart nuk i ndieja më nga prangat që më kishin hyrë nën lëkurë. Në ato çaste, dëgjova thirrjet e shokëve të mi jashtë ‘lironi shokët tanë’, ‘rroftë Ramiz Alia, poshtë dinastia’ dhe fjalë kundër Nexhmije Hoxhës. Protestuesit thyen xhamat, në ato çaste Sazan Tare bashkë me xhelatët e tjerë më larguan në korridorin e policisë. Në orët e vona të darkës, më çuan në komisariatin e Durrësit dhe vijuan të njëjtat tortura çnjerëzore. Më kanë rënë tre herë të fikët nga torturat çnjerëzore. Ata mendonin se ne kishim lidhje me Amerikën, por ajo erdhi nga shpirti jonë. E donim Amerikën, dëgjonim Zërin e Amerikës, por nuk kishim lidhje”, shprehet ai

Kavajsit nuk mund të duronin rënkimet e shokëve që torturoheshin. Brenda një kohe të shkurtër, qindra mijëra vetë u mblodhën para Degës për të kërkuar lirimin e tyre. Për tyre ditë me radhë, nga data 26 deri në 29, pati përleshje të vazhdueshme mes protestuesve dhe policisë.

“Ishte një demonstratë që u përball me tanke. Protestat e Kavajës i dhanë një shtytje të mëtejshme përpjekjes për ta bërë Shqipërinë demokratike sikurse ishin bërë edhe vendet e tjera”, thotë Preç Zogaj.

Teksa qeveria përpiqej t’i izolonte, aq më shumë rritej rebelimi i qytetarëve të Kavajës, që në muajin korrik u ngritën me një valë të madhe protestash, që sollën dhe viktimën e parë. Vdekja e Josif Budos si pasojë e dhunës barbare nga policët u përpoq të manipulohej si vrasje aksidentale. Por, përcjellja për në banesën e fundit e Budos, që hyri në histori si dëshmori i parë i demokracisë, u shndërrua në një tjetër protestë të fuqishme kundër regjimit që po tronditej në themele.

Populli i Kavajës vazhdonte të protestonte çdo ditë në qendër të qytetit, në rrugët nacionale dhe te stacioni i trenit, duke i çuar mesazhin e lirisë pasagjerëve që komunizmi në Kavajë ka rënë. Pas këtyre ngjarjeve, Kavaja u rrethua me stampistë dhe në datën 10 korrik 1990, ra edhe dëshmori i parë i demokracisë në Shqipëri, Josif Budo, që dha jetën për liri dhe demokraci. Në 11 korrik, e përcollën dëshmorin në banesën e fundit me thirrjet e fuqishme ‘Josifi është gjallë’, ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’.”, thekson Rugeja.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB