Preç Zogaj*

Hetimet penale pa tabu dhe dridhje qerpiku, ngjarje të zakonshme në botën e lirë, tingëllojnë akoma të jashtëzakonshme në vendin tonë.

Shumë pak njerëz e kishin imagjinuar para pesë – gjashtë vitesh këtë që po ndodh tani kur SPAK, maja e diamantit e drejtësisë së re, po hedh përdhe muret e koracimit të korrupsionit të lartë.

Laudimet e shkallës sipërore për arritjet përligjen, por duhet thënë se SPAK, thjesht e qartë, po bën punën e vet. Punën për të cilin u ngrit. Punën për të cilin e ngarkon ligji i miratuar me konsensus të plotë në verën e vitit 2016.

Me këtë vetëdije, Altin Dumani, të cilit i mbaroi mandati i kryetarit, por do të vazhdojë punën në SPAK, kryetari i ri Klodian Braho dhe gjithë prokurorët e tjerë, si trup i vetëm, po dëshmojnë se i janë përkushtuar punës pa parë as majtas as djathtas, pa u dehur nga lavdërimet, pa u trembur nga kërcënimet, indiferentë ndaj kakofonive, të vendosur të çojnë anijen në port.

Dalëngadalë edhe publiku po mësohet me këtë fakt. Se ata po bëjnë punën, sado që është një punë nga më të vështirat. Prandaj janë zgjedhur me lupë mes më të mirëve.

Të suprizuarit e mëdhenj nga tornadot e hetimeve janë të shpupurisurit politikanë e zyrtarë të hetuar, në hetim apo që presin të hetohen. Ata e kanë pas votuar reformën në drejtësi me prapamendimin tipik se do t’ja gjenin anën ta tjetërsonin rrugës. Duke llogaritur para së gjithash, si meskinë të djallëzuar, vogëlsinë e vendit. Që u del nga radari fuqive të mëdha tek u dalin punë të tjera me rëndësi planetare. Kjo ka qenë zakonisht konjuktura, apo momenti i artë, të cilin politikanët e prishur e kanë kapur fluturimthi me një instikt grabitqarësh për t’i tharë ligjet nëpër sirtare dhe për të qeverisur si pashallarë.

Dështuan keq për ta bërë këtë me Reformën në Drejtësi. Amerikanët nuk lëshuan. Europianët po ashtu. E mbajtën të madhe Shqipërinë e vogël në dramën e saj të marrjes peng nga pandëshkueshmëria.

Fishekzjarret e establishmentit Rama-Berisha që përshëndetën ardhjen në pushtet të Presidentit Trump e kishin me shpresën se administrata e re do të tërhiqej nga mbështetja e SPAK-ut. E kundërta ka ndodhur. Mbështetja u forcua, ashtu siç e kanë zakon republikanët kur caktojnë një pikësynim: janë më të drejtpërdrejtë, më deçizionistë.

Pikërisht sot, ndërsa shkruaj këto radhë, është publikuar lajmi se SHBA kanë formalizuar një regjim sanksionesh ndaj individëve që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe rendin demokratik në Ballkan. “Princat” e gjurulldive janë të paralajmëruar!

Pse ndodhi kjo? Pse administrata Trump e prioriteteve të ndryshme në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar, përqafoi dhe po çon përpara me vendosmëri një prioritet të administratës së mëparshme për Shqipërinë? Sali Berishës dhe Edi Ramës, dhe levave të tyre në media, u fiket llampa përballë kësaj pyetjeje. Më saktë përballë përgjigjes, që na thotë: Amerikanët e përqafuan dhe e vazhduan mbështetjen e fuqishme të drejtësisë së re pikësëpari sepse e kishin përcjellë në zbatim gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump. Më tej, sepse me rikthimin në pushtet, zyrtarët e rinj përgjegjës të Departamenteve i panë edhe njëherë nga e para arsyet madhore të bashkëautorësisë në konceptim dhe zbatim të reformës shqiptare, rivlerësuan rëndësinë e saj për sigurinë kombëtare amerikane dhe për demokracinë në një vend aleat dhe proamerikan si asnjë tjetër.

Hetimet e SPAK vazhdojnë të hedhin rrjetat në rrezervatin e peshqeve të mëdhenj të qeverisë Rama. Rrjeta del plot e më plot sa herë ngrihet. Kaq shumë është përhapur korrupsioni në qeverinë e tij. Enigma e madhe mbetet si i kanë rënë me top pas ngritjes së SPAK-ut? Ka që thonë se janë vetëmashtruar me idenë se SPAK është vegël e Ramës. U ka pëlqyer të besojnë Sali Berishën dhe gjithë sistemet e tij të komunikimit.

Ka të tjerë që i tregojnë “largpamës”, në kuptimin që i kanë marrë në sy disa vite burg në shkëmbim të pasurisë së vjedhur që u mundëson të jetojnë në luks gjithë jetën vetë dhe trashëgimtarët. Pasuritë e tyre të paligjshme nuk do t’i shpëtojnë gjurmimit dhe sekuestrimit. Ndryshe drejtësia mbetet e papërmbushur.

Përtej fatit të keq që secush e shkruan vetë në fund të fundit, mbeten për t’u parë arsyet pse kaq shumë të korruptuar. Një frote e vërtetë. Duke i marrë rastet një nga një, përgjigjet do të mund të na çojnë te një arsye madhore që ka të bëjë me përgjegjshmërinë politike. E cila vjen ose nga një karrierë e gjatë shkallë pas shkalle, ose nga një vepër e madhe publike që formon nderin e personit që thirret nga jashtë politikës. Në të kundërtën, improvizimet dhe eksstravagancat në emërime të rëndësishme, të shumtë në numër përgjatë qeverive të Ramës, janë në vetvete një përudhje e tyre drejt fushës manjetike të korrupsionit. Ku, duke besuar se kanë qenë kaq të domosdoshëm, janë të pakët ata që i kanë rezistuar “vezullimit” të shukave të parave të paligjshme.

Tema në fjalë meriton thellim. Tani për tani le të falenderojmë SPAK-un, që ka zgjidhur në burim krizën e drejtësisë. Pa qenë nevojë për t’u alarmuar me tepri për ndonjë teprim të mundshëm, që korrigjohet nga gjykatat në punën e tyre. Si në shprehjen “dy duar lajnë njëra-tjetrën, të dyja fytyrën”.

*Drejtor i MAPO

Top Channel

DIGITALB DIGITALB