Kleringu kërcënon ndërtimin/ Mungesa e likuiditetit, prodhuesit e tullave: Jemi në krizë, rrezikojmë falimentin

21/12/2025 19:37

Kleringu, po sjell krizë ekonomike në sektorin e ndërtimit.

Kantierët e ndërtimit nuk janë një mundësi e mirë ekonomike për prodhuesit e tullave. Fabrikat po i ndezin furrat e tyre, jo për të fituar para, por për prona.

Viktor Nikolli, i cili është administrator i një fabrike tullash në Fushë Krujë, thotë se kjo formë e re tregtie po e dërgon atë drejt falimentimit. Sipas tij shpirti i biznesit është qarkullimi i parasë.

Problemi më i madh që kemi është likuiditeti, po na shkatërron klerigu. Jemi të detyruar të shesim me klering sepse kështu punojnë konkurrentët tanë. Është për të ardhur habi se si ka mundësi po kthehemi në kohën e shkëmbimit mall me mall”, shprehet Viktor Nikolli.

Kleringu, duket se është fitimprurës për ndërtuesit, por jo për prodhuesit e materialeve që ngrihen objektet e tyre.

“Sot ka ndërtues që nuk ka nevojë të shesin sepse gjithë kostot që një ndërtues ka i shpërndan nëpërmjet kleringut, dhe e ka mundësinë të presë një moment të dytë për të shitur pronën me një çmim më të lartë”, shprehet Ervin Demirxhiu, vlerësues pasurive të paluajtshme.

Kjo marrëdhënie biznesi, ndikoi që Viktori të ndërmarrë vendimin ekstrem për fabrikën e tij.

Më datën 20 dhjetor fabrika u fik, jemi të bllokuar për pagesat, të mbash fabrikën në punë duhen minimalisht 400 mln lekë të vjetra për të bërë pagesat.”, shprehet Nikolli.

Çmimet e larta të diktuara nga ndërtuesit kanë lënë stok apartamentet që Viktori ka përfituar nga kleringu.

Sot që flasim unë kam 40 banesa në treg që nuk i shes dot, dhe arsyeja është se është bllokuar tregu, çmimit janë tepër të larta”, shton më tej ai.

E ndërsa pallatet shtohen, shitjet kanë ecur në të njëjtin ritëm si një vit më parë.

“Është e vërtetë që ka pas një stopim për pronat e rishitura dhe këtu ndikon procesi i rivlerësimit”, thotë Demirxhiu.

Sipas Bankës së Shqipërisë, koha mesatare për të shitur një apartament është rritur në 11.1 muaj, duke ia bërë më të vështirë pronarëve nxjerrjen në treg  të një banese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB