Demonstrata e Shkodrës/ “Mijëra u mblodhën rreth statujës së Stalinit dhe rrinin në pritje”, Gjergj Livadhi për “Exclusive”: Aty kuptuan se na kishin arrestuar

21/12/2025 23:07

Në ditët e para të vitit të ri, Shkodra dha sinjalin e parë kur shkodranët guxuan të mendonin dhe diskutonin mes njëri-tjetrit planin për rrëzimin e bustit të Stalinit, diktatorit nga Gjeorgjia e largët, portreti i të cilit u vriste sytë.

Shkodranët e tallnin regjimin me batuta, por tashmë ishte çasti për veprime konkrete. Fillimisht, caktuan datën 11 janar, në festën zyrtare të Republikës, por për shkak se në shesh u mblodhën vetëm një grusht njerëzit të përbetuarit për rrëzimin e bustit caktuan ditën e diel, në 14 janar ’90.

Gjergj Livadhi, organizator i revoltës së janarit 1990 në Shkodër, në një intervistë për “Exclusive” në Top Channel, rrëfen se gjithçka u përgatit në heshtje dhe me shumë frikë, por edhe me vendosmëri. Sipas tij, ndonëse në fillim ishin pak, ideja e revoltës u përhap shpejt dhe mobilizoi shtresa të gjera të qytetit, duke e kthyer Shkodrën në qytetin e parë që sfidoi hapur regjimin.

Në datën 11 janar, u grumbulluam këtu para xhamisë, ishim rreth 50 persona. Ishte ditë pushimi, erdhi edhe ambasadori gjerman, por ishim pak njerëz dhe e lamë për ditën e diel, më datë 14. Ato tri ditë u shpërndamë për të mobilizuar njerëzit, ishin ditë shumë të mundimshme, por edhe shumë të guximshme, kryesisht u mblodh klasa punëtore, intelektualë ishin më pak”, shprehet Gjergj Livadhi.

Ideja e demonstratës po përhapej me shpejtësi si ethe në Shkodër. Rin Monajka Dedë Kasneci e shumë të tjerë kishin dalë hapur me thirrjet e tyre, duke u rënë në sy vetë oficerëve dhe policëve, që i vunë prangat në mesnatë.

Në 13, unë, Ded Kasneci, Flamur Elbasani u arrestuam. Në shesh ishte caktuar që do të fliste dikush dhe më pas do të rrëzohej statuja e Stalinit”, shton ai.

Të nesërmen, mbi tre mijë njerëz u mblodhën në heshtje rreth bustit, këtë herë jo për ta nderuar. Pritën gjatë se dikush do fliste dhe do u printe, por këtë nuk e bëri asnjë. Akrepat e orës lëviznin dhe më vonë kuptuan se shokët ishin arrestuar. Të hidhëruar, u shpërndanë, por i dhanë vendit betejën e parë kundër regjimit.

Gjergj Livadhi më tej shton “Kryengritjen e bëri Shkodra dhe shkodranët, nuk e bëra vetëm unë, as Deda vetëm… u dënuam 10 njerëz në sallë të gjyqit! Kemi bërë nga një vit e gjysmë në burg. S’na kanë lënë njeri të familjes pa marrë në hetuesi. Në Shkodër u bë terror në atë kohë, u arrestuan 630 njerëz, u internuan 2-3 familje, u çuan në psikiatri gjashtë veta. Revolta ishte e tërë Shkodrës”.

Ajo është demonstrata më e çuditshme që Shqipëria i tregoi botës sepse mijëra njerëz u mblodhën rreth statujës dhe rrinin në pritje. Ishte demonstratë e heshtur, por kishte shumë kuptim, sepse tregonte që njerëzit e kishin përqafuar idenë. Pati dënime shumë të ashpra. Regjimi me një censurë të ashpër tentoi që të mos merrej vesh ajo që ndodhi në Shkodër, por fjala doli. U mor vesh që në Shkodër diçka kishte ndodhur”, thekson Preç Zogaj.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB