Me këngë dhe humor, këngëtari i teatrit Petro Marko Viktor Tahiraj, rikthehet pas 17 vitesh emigrim

20/12/2025 14:04

Këngëtarin e muzikës së lehtë vlonjate, Viktor Tahiraj e gjen thuajse çdo ditë në teatrin “Petro Marko”, duke punuar me pasion dhe përkushtim.

“Ajo që na karakterizon është forca jonë emocionuese, dëshira dhe pasioni që kemi për artin që t’i shërbejmë publikut tonë vlonjat”, u shpreh këngëtari Viktor Tahiraj.

Këto ditë, artisti po përgatitet për një premierë që do t’i prezantohet shumë shpejt publikut vlonjat. Me pianon pranë, ai nis një tjetër ditë pune, ashtu sikurse ka bërë për më shumë se katër dekada në skenën e teatrit të Vlorës.

“Shfaqja do të jetë para Krishtlindjeve, jemi duke punuar si grup”, u shpreh këngëtari.

Krahas profesionit të tij, këngës, Tahiraj nuk i është ndarë pasioni të hershëm, imitimit.

Për një jetë më të mirë, Viktori u largua drejt Italisë, ku jetoi dhe punoi për shumë vite. Megjithatë, dashuria për vendlindjen dhe qytetin e Vlorës nuk u shua kurrë. Pas 17 vitesh, ai u rikthye për të nisur sërish punën në Teatrin “Petro Marko”, i frymëzuar tashmë dhe nga arti e kulture e vendit fqinj.

“Kam jetuar në Toscana, kam miq napoletanë, është një popull i gjithë i intonuar”, thotë ai.

Gjatë karrierës, Viktor Tahiraj është vlerësuar me çmime të shumta, përfshirë edhe çmimin e parë në Festivalin Kombëtar, ndërkohë që ka kënduar edhe himnin e Flamurtarit, skuadrës vlonjate të futbollit.

Ndërsa kohën jashtë skenës, artisti e kalon në shtëpi, duke u kujdesur me kopshtin dhe lulet që për të janë frymëzim.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB