Milik, ndeshja e fundit zyrtare në vitin 2024 ndaj Monzës/ Mbrëmja e festës në “Allianz Stadium”
Interi vazhdon të përjetojë një periudhë të errët sa i përket penalltive. Humbja ndaj Bolognës në Superkupë e ka konfirmuar edhe një herë këtë problem, duke i dhënë fund ëndrrës për trofe në vitin 2025 për skuadrën e drejtuar nga Cristian Chivu.
Në serinë e penalltive, zikaltrit gabuan tre herë radhazi: Bastoni u ndal nga portieri Ravaglia, Barella e dërgoi topin shumë mbi traversë, ndërsa Bonny praktikisht ia dhuroi topin portierit. Një statistikë alarmante, pasi në shtëpinë e Interit nuk ndodhte prej më shumë se 30 vitesh që të gaboheshin tre penallti radhazi.
Kjo ishte humbja e tretë radhazi e Interit në një seri penalltish, pas eliminimit nga Atletico Madridi në vitin 2024 (me penalltinë e Lautaros që përfundoi mbi portë) dhe asaj ndaj Lazios në çerekfinalet e Kupës së Italisë në vitin 2019. Fitorja e fundit nga pika e bardhë mbetet ajo ndaj Pordenones në Kupën e Italisë, në vitin 2017.
Pas ndeshjes në Arabinë Saudite, vëmendja u përqendrua te zgjedhjet e trajnerit Chivu, i cili vendosi të mos aktivizonte për penallti as Hakan Calhanoglun dhe as Pio Espositon, duke marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë. Debat ka shkaktuar edhe mungesa e Dimarcos nga lista e gjuajtësve, pavarësisht statistikave të mira (9 gola nga 12 penallti në karrierë), ndërsa Zielinski do të kishte gjuajtur nëse nuk do të ishte detyruar të largohej nga fusha për shkak të ngërçeve muskulore.
“Pse nuk e futa Pion? Nuk doja të rrezikoja një lojtar që të hynte në fushë vetëm për të gjuajtur një penallti pa u ngrohur. Ai ishte i gatshëm, por përgjegjësia është e imja dhe duhet të mbroj shëndetin e lojtarëve të mi,” shpjegoi Chivu pas ndeshjes.
“Calhanoglu sapo është kthyer nga një dëmtim në aduktor dhe nuk e ndjeva të arsyeshme ta hidhja në fushë për të gjuajtur ‘në të ftohtë’. Është e lehtë të flasësh nga jashtë. Na pret një janar shumë i vështirë dhe zgjedhjet janë të miat, ashtu si edhe vendimi për të pushuar disa lojtarë.”
Top Channel