“E patë ku përfundoi Shabani”, Berisha mesazh Lapajt dhe Shehajt: I kemi ftuar, por po tregohen opozitë e opozitës

20/12/2025 13:34

Sali Berisha thotë se PD i ka ‘dyert’ e hapura për bashkëpunim me Agron Shehajn dhe Adriatik Lapajn, por shton se ambiguiteti tregon se po bëjnë opozitë të opozitës.

Berisha thotë se krahasimi që bëjnë Lapaj dhe Shehaj midis PD dhe PS, midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, dëshmon se janë në një pozicion opozite e opozitës.

Berisha ka marrë si shembull Endrit Shabanin, për të cilin tha se ‘përfundoi në gjirin e Ramës’.

“Ne kemi ftuar të gjithë partitë. Ka një problem, opozitë dhe pseudopozitë apo opozitë e opozitës. Ju e patë ku përfundoi Shabani, në gjirin e Edi Ramës. Pretendonte se është opozitë.

Unë përshëndes zotin Lapaj që proteston aty, jep shembull personal. Jemi të hapur ndaj partisë së tij, jemi të hapur ndaj partisë së zotit Shehaj, por ambiguiteti i tyre dhe krahasimi që bëjnë midis PD dhe PS, midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, dëshmon se janë në një pozicion opozite e opozitës.

Se të krahasosh PD-në apo udhëheqjen e PD me të PS-së, në një farë mënyrë direkt apo indirekt, i bën shërbim asaj partie në një kohë kur ke qenë në këtë parti dhe i njeh shumë mirë gjërat”, tha ai.

“Unë e kam mbështetur publikisht jo njëherë, por disa herë dhe e kam përgëzuar Lapajn për protestën e tij. Natyrisht ai përfaqëson një parti politike dhe protestën e bazon tek partia e tij. PD siç e patë ju, filloi protestën e saj të fuqishme, ka filluar protestën e saj javore para kryeministrisë me qëllim dhe e dyta në parlament.

Me datën 22 PD dhe elektorati, mbështetësit, aleatët e saj janë në shesh. Për ta ditur Lapaj është ftuar të ishte i pranishëm në protestën tonë, madje edhe mund të fliste, por ai ka programuar protestën për partinë e tij”, tha lideri i PD.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB