Stafi i Luvrit pezullon grevën, rihapet plotësisht për vizitorët muzeu më i vizituar në botë

19/12/2025 20:42

Muzeu i Luvrit në Paris u rihap plotësisht këtë të premte, pasi punonjësit votuan për të pezulluar grevën që kishte ndërprerë aksesin në muzeun më të vizituar në botë.

Sipas Associated Press, vendimi u mor gjatë një asambleje të përgjithshme të stafit, ku punonjësit votuan unanimisht për ndalimin e përkohshëm të grevës, me qëllim rikthimin e muzeut në funksion normal dhe pritjen e vizitorëve.

Greva kishte çuar në mbylljen e plotë të Luvrit në fillim të javës dhe në një rihapje të pjesshme të mërkurën.

Sindikatat thanë se pezullimi i grevës erdhi pas pesë takimeve me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, por theksuan se përparimi mbetet i pamjaftueshëm, veçanërisht në lidhje me mungesën e stafit, nivelin e pagave dhe planet afatgjata të sigurisë.

Po ashtu, ato ngritën shqetësime për degradimin e ndërtesës dhe kushtet e punës.

Përfaqësuesit sindikalë kritikuan drejtuesen e Luvrit, Laurence des Cars, duke e akuzuar për mungesë angazhimi gjatë grevës, pasi, sipas tyre, ajo nuk u takua me stafin dhe nuk iu drejtua punonjësve gjatë protestës.

Punonjësit pritet të mbajnë një tjetër asamble të përgjithshme më 5 janar, ku do të vendosin nëse do të rifillojnë apo jo grevat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB