“Është shumë e lehtë të fajësosh Manchester United”/ McTominay flet për aventurën te Napoli: Conte më shtyn gjithmonë përpara

19/12/2025 19:01

Scott McTominay po jeton një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij dhe nuk e fsheh entuziazmin për aventurën në Itali.

Në një intervistë për emisionin “Golazo” të CBS Sports, mesfushori skocez foli për vitin e gjysmë të kaluar te Napoli, mes sukseseve sportive dhe rritjes personale.

“Scudetto, lojtari më i mirë i Serie A, Skocia sërish në Botëror. Është një periudhë e jashtëzakonshme, por nuk ndihem i mbërritur. Përkundrazi, tani jam edhe më kërkues me veten. Të mbrosh suksesin është më e vështirë sesa ta fitosh, por objektivi është të vazhdoj të rritem”, u shpreh McTominay.

Futbollisti i lindur në vitin 1996 tregoi edhe për përditshmërinë e tij në Napoli: “Është gjithçka surreale. Dashuria e tifozëve është e pabesueshme, ndaj dal pak në qytet, por rutina ime është e thjeshtë. Në Itali hahet më mirë dhe klima ndihmon jetën. Në punë jam i fiksuar pas rikuperimit: banja me akull, trajtime me dritë të kuqe, dhoma të ftohta. E bëj sepse dua të jem mirë dhe të luaj edhe dhjetë vite të tjera”.

Vlerësime të veçanta pati edhe për trajnerin Antonio Conte: “E adhuroj. Është pasion i pastër dhe taktikisht i jashtëzakonshëm. Nuk kam nevojë për përkëdhelje, por për dikë që më shtyn gjithmonë”.

McTominay foli edhe për largimin nga Manchester United, klubi ku u rrit dhe që e la 18 muaj më parë për të nisur aventurën në Serie A: “Në vitin tim të fundit në Manchester shënova dhjetë gola dhe fituam një kupë. Nuk mund të thuhet se nuk po bëja mirë. Kur luan te United je gjithmonë nën lupë dhe gjithçka zmadhohet. Minutat duhet t’i fitosh. Atje më dhanë gjithçka, por kur luan rregullisht, shënon dhe dëgjon fjalë të mira për veten, gjithçka bëhet më e natyrshme”.

Si ai, edhe shumë ish-shokë skuadre, mes tyre Marcus Rashford, kanë përjetuar një “rilindje” pas largimit nga Manchester United. Megjithatë, skocezi thekson se nuk mban asnjë mëri: “Është shumë e lehtë të thuash se u larguam nga Manchester dhe tani po shkojmë mirë”.

Në fund, një koment edhe për italishten e tij: “Nuk është perfekte, por po përpiqem. Pas ndeshjeve arrij të them disa fjali, po studioj dhe po përmirësohem. Pas Scudettos, një herë fola 25 minuta vetëm italisht me një kopshtar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB