Edin Dzeko e mbyll te Fiorentina, ish-shoku i tij i skuadrës te Roma e do në ekip

19/12/2025 16:51

Aventura e Edin Dzekos te Fiorentina mund të mbyllet më herët nga sa ishte parashikuar.

Sulmuesi boshnjak, i transferuar gjatë verës nga Fenerbahçe, nuk ka arritur të gjejë vazhdimësi te Viola, edhe për shkak të periudhës së vështirë që po kalon klubi.

Sipas zërave të fundit të merkatos, Dzeko është i hapur për një ndryshim ambienti gjatë afatit kalimtar të dimrit, ndërsa destinacioni i tij i ardhshëm pritet të jetë sërish Serie A. Genoa shfaqet si klubi më i interesuar, në kërkim të përforcimeve me eksperiencë për të vazhduar luftën për mbijetesë nën drejtimin e Daniele De Rossit.

Trajneri i Genoas e njeh shumë mirë Dzekon nga koha e tyre e përbashkët te Roma dhe beson se ai mund të japë një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm në aspektin e golave, por edhe në udhëheqjen e skuadrës.

Duke qenë se Dzeko do të mbushë 40 vjeç në muajin mars, kontrata e mundshme pritet të jetë afatshkurtër. Sulmuesi do të largohej përfundimisht nga Fiorentina për të firmosur me Genoan për gjashtë muaj, me opsion rinovimi të lidhur me qëndrimin e Rossoblùve në Serie A.

Në garë për shërbimet e ish-sulmuesit të Interit raportohet se është edhe Cagliari, që kërkon një lojtar me përvojë për të zëvendësuar Belottin e dëmtuar. Megjithatë, negociatat me sardët duken më të ndërlikuara, ndërsa Genoa mbetet favorite. Me gatishmërinë e vetë Dzekos, marrëveshja mund të mbyllet brenda pak ditësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB