Blinte produkte dentare duke mashtruar furnitorët, pranga 27-vjeçarit në Tiranë, përfitoi 12 mijë euro

19/12/2025 11:37
foto ilustruese

Një 27-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi blinte produkte dentare, duke mashtruar furnitorët se ishte përfaqësues i një kompanie në këtë sektor.

Përmes këtij mashtrimi, shtetasi me iniciale K.Sh., dyshohet se ka përvetësuar 12 mijë euro.

Njoftimi:

Blinte produkte dentare, duke mashtruar furnitorë, se ishte përfaqësues i një kompanie në këtë fushë (në të cilën kishte punuar më parë), arrestohet 27-vjeçari.

Dokumentohet se nga shitja në klinika dentare, e produkteve të blera nëpërmjet mashtrimit, 27-vjeçari ka përfituar rreth 12 000 euro.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të përfaqësuesve të një kompanie dentare, se një shtetas i paautorizuar prej tyre, ish punonjës në këtë subjekt, vijonte të blinte dhe të shiste produkte në emër të kompanisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Reputacioni”.

Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka mashtruar furnitorë të produkteve dentare, duke u prezantuar si përfaqësues i kompanisë në këtë fushë, në të cilën kishte punuar më parë, për të blerë produkte, të cilat më pas i shiste në klinika. Nga kjo veprimtari e kundërligjshme, 27-vjeçari dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash (të dokumentuara deri tani, rreth 12 000 euro).

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel