Analiza/ “Derrat e Putinit”, pse shefi i Kremlinit po dështon në luftë dhe po fiton terren në Perëndim

19/12/2025 21:18

Nga La Repubblica

Kur Vladimir Putin tha disa ditë më parë se “evropianët, ashtu si “derrat e Bidenit”, menduan se mund ta zhduknin shpejt Rusinë”, njerëzit u përqendruan më shumë tek ashpërsia e fyerjes sesa te kuptimi i fjalisë. Deklarata e Putinit është vërtet e pabesueshme; ajo e paraqet Rusinë sikur të ishte vendi i sulmuar. Por kjo përmbysje e së vërtetës është dyfish tronditëse sepse, përtej provave se kush sulmoi kë, ishte vetë Putini që besoi në shembjen e shpejtë të Ukrainës dhe realiteti provoi të kundërtën.

Ai mendoi se sulmi fillestar do të ishte i mjaftueshëm për ta detyruar Zelenskyn të largohej, për të shkaktuar shpërbërjen e vendit dhe për të instaluar një qeveri kukull në Kiev. Në vend të kësaj, më shumë se tre vjet më vonë, ushtria “e frikshme ruse”, ajo që sipas propagandës së Kremlinit duhej ta “shkatërronte” Ukrainën brenda tre ditësh, është ende atje duke luftuar për copa të vogla të Donbasit, ndërsa “Cari” përpiqet që gjithçka t’i jepet në tryezë nga Donald Trump .

“Evropianët janë kapur pas Bidenit si derrat, duke shpresuar në shembjen e Rusisë.”

Pse kjo frazë dhe pse tani? Sepse fraza e Putinit për “derrat” i flet shumë më tepër opinionit publik në Perëndim sesa opinionit rus. Rusët, të mësuar me dekada të tëra me një regjim që përdor gënjeshtra me shpejtësinë e frymëmarrjes, i njëjti regjim në të cilin u rrit Putini, kryesisht dinë t’i peshojnë të vërtetat e “shtëpisë së tyre”.

Megjithatë, në perëndim, këto fraza jo vetëm që gëlltiten me kënaqësi, por madje kalohen si kundërinformacion, që me synimin për të ndikuar sa më shumë në opinionin e perëndimorëve. Ky është triumfi i madh i Putinit: shpikjet e tij këtu marrin një trajtë jokonformiste.

Nëse Putini thotë në televizionin shtetëror “se Moska reagoi ndaj një sulmi”, shumë rusë qeshin me hidhërim: ky është vendi i Gogolit përpara se të ishte Solovievit. Megjithatë, nëse konceptet e sakta të Putinit përsëriten nga mediat vendëse të propagandës, ata e bëjnë këtë duke u paraqitur si një kundërpushtet militant, duke e shitur Putinin si një martir i mendimit të lirë.

Por kjo është një dredhi e vjetër: e fut dorën në kapelen e dezinformimit të një diktature dhe nxirr një kundër të vërtetë duke trajtuar një autokrat si një sfidues i guximshëm i mendimit.

Në fakt, e vërteta është se Putini nuk e ka fituar luftën në Ukrainë, siç e kanë përsëritur që nga dita e parë idhtarët e tij perëndimorë. Në të vërtetë, lufta ka qenë një disfatë katastrofike për fuqinë e vetëshpallur ushtarake të Rusisë. Por ai ka bërë shumë më tepër përparim në frontin perëndimor sesa në Donbas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB