Të paktën 4 të vdekur në sulmin e ri amerikan ndaj një motoskafi në Paqësor

18/12/2025 07:47

Ushtria amerikane njoftoi të mërkurën se kishte nisur një sulm të ri ajror kundër një motoskafi në Paqësorin lindor, i cili sipas saj po transportonte drogë, duke vrarë katër persona në bord.

Komanda e Përbashkët e SHBA-së përgjegjëse për Amerikën e Jugut (SOUTHCOM) tha nëpërmjet X se kishte “informacion” se anija po “transportonte drogë ” dhe shtoi se “gjithsej katër narko-terroristë meshkuj” u vranë — pa paraqitur asnjë provë për këto pretendime — dhe publikoi një video të deklasifikuar 15-sekondëshe të sulmit.

Që nga fillimi i shtatorit, SHBA-të kanë bombarduar motoskafe që pretendojnë se transportonin drogë në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor. Sipas deklaratave të administratës Donald Trump, të paktën 99 persona janë vrarë në këto sulme. Nuk është paraqitur kurrë asnjë provë se anijet e synuara ishin të përfshira në aktivitete kriminale.

Ekspertët dhe OKB-ja kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e këtyre operacioneve.

Administrata Trump akuzon konkretisht Presidentin Venezuelan Nicolas Maduro si kreun e një rrjeti trafikimi droge, një pretendim që personi në fjalë e mohon, duke akuzuar Uashingtonin se kërkon ta rrëzojë atë me qëllim që të sekuestrojë rezervat e naftës të vendit latino-amerikan, të cilat janë ndër më të mëdhatë në botë.

“Venezuela është e rrethuar nga armata më e madhe e drogës e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut”, tha Donald Trump pardje nëpërmjet Truth Social, duke shtuar se fuqia e saj do të vazhdojë të “rritet”.

“Goditja që do të pësojnë do të jetë e pashembullt”, kërcënoi presidenti amerikan, i cili shpesh kohët e fundit ka ngritur mundësinë e operacioneve tokësore në tokën venezueliane.

Në të njëjtën kohë, dje, SHBA-të njoftuan se do të vendosnin personelin e forcave ajrore në Ekuador, një qendër për trafikimin e kokainës së prodhuar në vende të tjera të rajonit, si pjesë e një operacioni “të përkohshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB