Përshkallëzohet konflikti kufitar Tajlandë-Kamboxhia, forcat tajlandeze hedhin dy bomba në qendrën e madhe të kazinove
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje liderëve të Bashkimit Evropian, në samitin vendimtar në Bruksel, të bien dakord për një kredi shumëmiliardëshe të financuar nga asetet ruse të ngrira, për të mbuluar nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës.
Sipas BBC, Zelensky është shprehur se Ukraina është vetëm disa muaj larg mbetjes pa fonde dhe se pa një ndihëm financiar deri në pranverë.
Sipas tij paratë janë jetike, qoftë për të mbështetur ushtrinë nëse lufta vazhdon, qoftë për t’u orientuar tërësisht drejt rimëkëmbjes.
Rreth 210 miliardë euro pasuri ruse të ngrira në BE mbahen kryesisht nga Euroclear, një organizatë me seli në Belgjikë.
Deri më tani, Belgjika dhe disa shtete të tjera anëtare kanë shprehur kundërshtim ndaj përdorimit të këtyre fondeve si një “kredi dëmshpërblimi”.
Rusia ka paralajmëruar BE-në të mos prekë paratë e saj, por kryeministri polak Donald Tusk u shpreh se liderët evropianë duhet “të ngrihen në lartësinë e momentit”.
Samiti i Brukselit zhvillohet në një moment kyç të luftës. Ndërkohë, Rusia ka ngritur padi kundër Euroclear në një gjykatë në Moskë, në përpjekje për të rikuperuar asetet e ngrira.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “nuk do të largohemi nga samiti pa një zgjidhje”.
Një zyrtar evropian u shpreh “me optimizëm të kujdesshëm” se një marrëveshje mund të arrihet.
Vëmendja është përqendruar edhe te kryeministri belg Bart De Wever, i cili tha në parlamentin e vendit të tij se, nëse gjithçka dakordohet dhe mbështetet nga BE-ja, “atëherë do të hidhemi së bashku në humnerë me pjesën tjetër të evropianëve dhe do të shpresojmë që parashuta të funksionojë”.
Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës është më afër se kurrë. Zyrtarë amerikanë dhe rusë pritet të takohen këtë fundjavë në Miami për bisedime të mëtejshme mbi një plan paqeje.
Sipas AFP, emisari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, do të takohet me përfaqësuesit e Trump, Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner. Edhe zyrtarë ukrainas po udhëtojnë drejt SHBA-së.
Rusia ende nuk ka reaguar ndaj propozimeve më të fundit për paqe, por Kremlini ka theksuar se një forcë shumëkombëshe evropiane për Ukrainën, e mbështetur nga SHBA, nuk do të ishte e pranueshme.
Presidenti rus Vladimir Putin, nga ana e tij, ka sulmuar ashpër Evropën, duke e cilësuar kontinentin në “degradim total” dhe duke përdorur gjuhë fyese ndaj aleatëve evropianë të Ukrainës.
Komisioni Evropian ka propozuar që Kievit t’i jepen rreth 90 miliardë euro kredi gjatë dy viteve të ardhshme, nga 210 miliardë eurot e aseteve ruse të ngrira në Evropë.
Kjo shumë mbulon rreth dy të tretat e 137 miliardë eurove që Ukraina vlerësohet se i nevojiten për të përballuar vitet 2026 dhe 2027.
Top Channel