“I huaji” i Kamysë në Tiranë, kryevepra e autorit francez teatralizohet në Teatrin Eksperimental

18/12/2025 13:11

“I huaji”, kryevepra e autorit francez Albert Kamy është teatralizuar nga aktorët e Teatrit Eksperimental, që kanë premierën absolute këtë të enjte të mbrëmje.

Vepra tregon historinë e Mersosë, që përjeton një shkëputje emocionale pas vdekjes së të ëmës, ndërsa jeta e tij merr një kthesë tragjike kur vret një burrë pa asnjë arsye, i verbuar nga dielli dhe nxehtësia. I dënuar me vdekje, ai përballet me absurditetin e ekzistencës.

Shfaqja vjen nën konceptin e regjisorit Italian Jonathan Bertolai, që përmes personazhit eksploron kompleksitetin e përvojës njerëzore.

“E ndërtuar mbi filozofinë e shprehur nga Kamy, vepra sillet rreth ekzistencializmit. Puna që kemi realizuar, merr frymëzim nga thelbi i mendimit të Kamy, ndjekim historinë e Mersosë, por të rishikuar plotësisht, të përmbysur nga këndvështrimi i tij, ai na udhëheq brenda ëndrrave, demonëve dhe imagjinatës së tij”, u shpreh regjisori Jonathan Bertolai.

Mersoi zgjohet dhe rijeton çdo gjë, por në një këndvështrim tjetër. Zgjedhja e një skenografie minimaliste, e ndërthurur me përdorimin e duhur të dritës dhe tingullit, synon të krijojë një mjedis që pasqyron boshllëkun dhe vetminë e protagonistit, që interpretohet nga Rafael Hoxhaj.

“Unë nuk e shoh Mersonë si një njeri joemocional, por është një njeri i cili vepron shumë saktë dhe korrekt në një shoqëri, e cila do të jetojë më norma të caktuara. Ai nuk i jep shoqërisë atë që shoqëria i kërkon atij, ai nuk justifikohet, nuk kërkon falje që të ndihet i pranuar. Jemi munduar ta marrim Mersonë në një shtresë më të thellë, që është e brendshmja e tij. Ai jeton me emocion, është i ndjeshëm ndaj natyrës, jetës, dritës. Edhe vrasja ndodh pikërisht nga natyra”, tha aktori Rafael Hoxhaj.

Prania e aktorëve Linda Jarani, Kleard Gërmenji e Ronaldo Kolgjokaj që alternohen në skena të ndryshme portretizon aspekte të ndryshme të jetës, sipas idesë së regjisorit, që punon për herë të parë me aktorë shqiptarë.

“Për mua ishte e rëndësishme të krijohej një grup i mirë pune dhe rezultoi që këta aktorë të rinj ishin shumë të motivuar. Pati energjinë pozitive që në ditët e para”, tha Berolai

“I huaji, nga thellësia e së ardhmes sime” fton publikun në Teatrin Eksperimental  deri në 21 dhjetor.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB