Gjendet pas 13 vitesh avioni që u zhduk papritur, gjobitet me 85 mijë paund për parkim të gabuar
Nick Reiner, i akuzuar për dy vepra penale të vrasjes së shkallës së parë për vrasjen e prindërve të tij, regjisorit dhe aktorit të njohur Rob Reiner dhe fotografes Michele Singer Reiner, u paraqit për herë të parë në gjykatë të mërkurën.
32-vjeçari, i cili mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, nuk deklaroi pafajësi apo fajësi, ndërsa seanca e formalizimit të akuzave është shtyrë për në muajin janar, shkruan Guardian.
Prokuroria e Qarkut të Los Anxhelosit ngriti të martën dy akuza për vrasje të shkallës së parë ndaj Nick Reiner, me rrethana rënduese për vrasje të shumëfishtë dhe me përdorimin e një arme të rrezikshme, një thikë. Akuzat u shpallën dy ditë pasi çifti u gjet i pajetë në banesën e tyre në Brentwood.
Sipas raportimit të “New York Times”, vajza e çiftit, Romy, ishte ajo që zbuloi trupin e të atit, pasi një terapist masazhi, i cili kishte një takim të planifikuar, nuk arriti të hynte në banesë. Romy raportohet se u largua nga shtëpia në gjendje të rëndë emocionale, ndërsa shërbimet e emergjencës gjetën më pas edhe trupin e Michele Singer Reiner brenda banesës.
Autoritetet e Los Anxhelosit bënë të ditur se policia u përgjigj ndaj një thirrjeje për hetim vdekjeje më 14 dhjetor në rezidencën e familjes Reiner, ku u konstatuan dy viktima, të identifikuara si Rob dhe Michele Reiner. Hetimet, sipas autoriteteve, treguan se autori i dyshuar ishte djali i tyre më i vogël, Nick Reiner, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ai u arrestua më vonë po atë mbrëmje.
Në një deklaratë të përbashkët, fëmijët e çiftit, Romy (27 vjeç) dhe Jake Reiner (34 vjeç), falënderuan publikun për mbështetjen dhe ngushëllimet, duke kërkuar respekt dhe privatësi. Ata apeluan që spekulimet të shoqërohen me ndjeshmëri dhe që prindërit e tyre të kujtohen për jetën dhe dashurinë që dhanë.
“Dhimbja që po përjetojmë është e paimagjinueshme. Humbja tragjike e prindërve tanë është diçka që askush nuk duhet ta përjetojë kurrë,” thuhet në deklaratën e tyre për revistën “People”.
Prokurori i Qarkut të Los Anxhelosit, Nathan Hochman, theksoi se akuzat nuk përbëjnë prova dhe se barra e provës do të paraqitet në gjykatë, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Ai sqaroi gjithashtu se Nick Reiner do të paraqitej në gjykatë vetëm pasi të merrte lejen mjekësore për transferim nga burgu.
Avokati mbrojtës i Nick Reiner, Alan Jackson, deklaroi pas seancës se çështja duhet trajtuar me kujdes të madh dhe u bëri thirrje publikut dhe mediave të mos nxitojnë në gjykime. Ai e cilësoi ngjarjen si një tragjedi shkatërruese për të gjithë familjen Reiner.
Nick Reiner ka pasur më herët probleme me abuzimin e drogës dhe shëndetin mendor. Ai bashkë-shkroi filmin “Being Charlie”, të drejtuar nga i ati, i cili thuhet se është frymëzuar pjesërisht nga përvojat e tij personale.
Rob Reiner ishte një nga regjisorët më të njohur të Hollivudit, me filma të famshëm si This Is Spinal Tap, When Harry Met Sally dhe The Princess Bride. Michele Singer Reiner ishte fotografe dhe producente e njohur, ndërsa çifti ishte gjithashtu aktiv në kauza liberale politike.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e Hollivudit. Miq të afërt të familjes, përfshirë Larry David, Billy Crystal, Albert Brooks dhe Martin Short, publikuan një letër të përbashkët kujtese për Rob Reiner, duke e cilësuar atë si një figurë unike dhe frymëzuese.
Nick Reiner pritet të dalë sërish para gjykatës më 7 janar.
Top Channel