Nderohet Artur Zheji, Unioni i Gazetarëve i jep pas vdekjes çmimin ‘Karriera për vitin 2025”

17/12/2025 20:00

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndau çmimet vjetore për gazetarët. Në edicionin e 17 të zhvilluar në Ambasadën Gjermane, juria me në krye Aleksandër Cipën vlerësuan me çmimin “Karriera për vitin 2025”, gazetarin Artur Zhejin

Pas vdekjes Zheji u nderua me motivacionin: “Gazetari që në aktivitetin shumëvjeçar solli një nivel të cilësishëm raportimi si në mediat kombëtare edhe në ato rajonale”. Të prekur nga ky çmim u shfaqën bashkëshortja e tij si dhe kreu i Parlamentit.

“Është një mirënjohje jo vetëm për rolin e rëndësishëm që pati në historinë e gazetarisë shqiptare, por është një vlerësim për përkushtimin, fjalën e lirë, mendimin kritik që pati deri në fund”, u shpreh bashkëshortja e Artur Zhejit, Klodi Zheji.

“Këtë çmim të rëndësishëm jo vetëm për një gazetar, por për një intelektual shqiptar të kulluar. U nda para kohe dhe patjetër krijoi një boshllëk në mendimin intelektual shqiptar, në gazetari, në formësimin e opinionit publik”, tha kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi.

Bordi i çmimeve të Unionit shpërndau vlerësime për dhjetëra artikuj në media, ku gazetari i Inside Story dhe Top Story, Eraldo Harlicaj u shpall “reporteri i vitit” për raportimin këmbëngulës me ndikim në çështjen e Martin Canit.

“Fakti që ka pasur presion pozitiv ndaj autoriteteve, më bën të ndihem mirë”, u shpreh Eraldo Harlicaj.

Aktiviteti u zhvillua në prani të personaliteteve dhe punonjësve të medias jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga rajoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB