Zgjedhjet e 28 dhjetorit, Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Synojmë të punojmë me Qeverinë e re për avancim të prioriteteve të përbashkëta Në ditën e parë të fushatës është lëshuar për qarkullim ura tjetër mbi lumin Ibër.
Gur-themeli i saj u vendos gjatë muajit korrik dhe kjo është ura e dytë në krah të urës kryesore të Ibrit që ndanë qytetin e Mitrovicës.
Në përurim, mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që i ka hyrë garës me Lëvizjen Vetëvendosje edhe për një mandat tjetër.
“Sot është një ditë e gëzuar për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, të të dy brigjeve të lumit Ibër, edhe të pjesës veriore edhe të pjesës jugore, për shkak se e kanë fituar një urë moderne për këmbësorë, pas urës për automjete, në mënyrë që të rritet qarkullimi dhe të ketë sa më shumë mobilitet’, u shpreh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
E për urën kryesore, për të cilën Kurti ka premtuar se insiston se do të hapet, tha se duhet diskutim me ndërkombëtarët.
“Në çdo takim e përsërisim qëndrimin tonë se ura mbi lumin Ibër duhet të jetë e hapur. Tash, i kemi 77 ura mbi lumin Ibër, shumica dërmuese janë në Kosovë disa prej tyre në Mal të Zi dhe Serbi. E vetmja urë që ka persona të uniformuar mbi të është ajo ura kryesore mbi Ibër. Besoj që nuk ka nevojë që aty të jenë pjesëtarët e KFOR-it, mirëpo këtë çështje e zgjidhim veçse me bashkëbisedim të hapur, me dialog të sinqertë”, tha Kurti.
Kurti është kritikuar se pse nuk takon komunitetin serb, për çka tha se problemi nuk është të ai por te “regjimi i Beogradit” e shtoi se ura nuk ka përkatësi etnike.
“Ka shumë serbë që takoj, por nuk duan që kjo të bëhet publike, sepse i kontakton BIA nga Beogradi menjëherë. I thonë pse po flet me kryeministrin e Kosovës? Problemi nuk është te unë, por tek regjimi autoritar në Beograd që i kërcënon serbët në Kosovë, që janë bashkëqytetarët e mi. Unë dua që të jem kryeministër, siç edhe jam i të gjithë qytetareve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo religjioze”, u shpreh Kurti.
Në fund të muajit gusht, u hap edhe një urë tjetër krah urës kryesore të Ibrit. Ajo urë është e lejueshme për qarkullimin e veturave.
Top Channel