Nderohet Artur Zheji, Unioni i Gazetarëve i jep pas vdekjes çmimin ‘Karriera për vitin 2025”
Gjatë regjimeve totalitare, propaganda ishte armë ndonjëherë më e fuqishme se vetë aparati i dhunës.
Kinematografia për shkak të shpejtësinë së saj të komunikimit dhe audiencës së lartë që arrinte për një kohë shumë të shkurtër, u shndërrua në një mjet për indoktrinimin e shoqërisë.
Në takimin e radhës së klubit të filmit të Arkivit të Filmit, në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit u trajtua “Vitet e para”, ekranizimi i librit të Fatmir Gjatës për tharjen e kënetës së Maliqit. Në film, etiketohen si sabotator personazhe realë si Abdyl Sharra apo amerikani Harry Fultz.
Në studimin e saj, që në takim u lexua nga Brunilda Çërraga, Prof. Sonila Boçi e konsideron dënimin e inxhinierëve të angazhuar për tharjen e kënetës si pjesë e justifikimeve për dështimet e regjimit.
“Qëllimi propagandistik i filmit është i qartë, nga njëra anë dëshiron të tregojë mbështetjen dhe entuziazmin e popullit për ndërtimin e socializmit, të ngrejë mitin e sekretarit të partisë, si njeri i popullit, por i ashpër me “armiqtë e popullit”. Ky është mesazhi më i rëndësishëm që propaganda e regjimit donte të përçonte, sepse në regjimet totalitare faji nuk është asnjëherë i autoriteteve qeverisëse dhe gabimet nuk janë asnjëherë objektive”, u shpreh përgjegjëse e edukimit qytetar e AIDSSH, Brunilda Çërraga.
Këneta e Maliqit ishte planifikuar të thahej më parë, pa marrë parasysh vështirësitë, pasi partia nuk njihte probleme, ndaj në 1946 arrestoi disa persona, pesë prej të cilëve i dënoi me vdekje.
“Persekutimi ishte kundër intelektualëve të asaj kohe, atyre që kishin studiuar në vendet perëndimore. Ata u quajtën armiq dhe dënimet ishin deri me vdekje, mjafton të përmendim Abdyl Sharrën, Kutjim Beqirin, Zyrako Beqiri që ishte shtatzënë. Diktatura nuk falte”, tha anëtari i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Skënder Vrioni.
Por, si duhet të trajtohen sot këto filma propagandistikë? Në takimin ku të pranishëm ishin nxënës e studentë, dha mendimin e tij edhe vetë nipi i inxhinierit të ekzekutuar, Abdyl Sharra.
“Ndoshta duket pak paradoksale, por unë filmin nuk e kam parë gjithë jetën, e kam parë pjesë pjesë në tv. Kam ndjerë zhgënjim. Unë nuk jam që të mos jepen filmat e realizmit socialist, sepse kanë historinë e tyre, por kërkoj që filmat me emra të nominuar të kenë një mbrojtje juridike, për t’i dhënë atij që e shikonin të vërtetën. Që e shikon, mos të mendojë se këta janë sabotatorët, nuk është ashtu”, u shpreh nipi i inxhinierit Abdyl Sharra, Agron Sharra.
“Nuk jemi për t’i ndaluar këto filma, por jemi për t’i vendosur një përmbajtje që të shpjegohen arsyet e propagandës. Pa u thënë të vërtetat brezit të ri, ne mohojmë veten tonë, të kaluarën duhet ta japim me fakte”, tha Vrioni.
Top Channel