Dhënia e autorizimit për arrestimin e Ballukut, deputetët marrin vetëm kërkesën e SPAK. Berisha: Provat në kasafortën e Peleshit

17/12/2025 13:20

Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve do të mblidhet të premten në orën 10.30 për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Kërkesa e firmosur nga Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani ka mbërritur ditën e djeshme në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Kreu i PD-së, Sali Berisha tha se provat po mbahen në kasafortën e Peleshit.

“Prokuroria ka dorëzuar kërkesën dhe provat, se ku e bazojnë kërkesën e tyre për arrestimin e Lubi Ballukut. Niko Peleshi ka futur provat në kasafortë dhe nuk ua jep deputetëve të opozitës, anëtarë të komisionit të verifikimit të mandateve. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Nuk ua jep sepse provat kanë gjëra të llahtarshme, të cilat e tregojnë Lubinë thjesht një shërbëtore të Edi Ramës”.

Deputetë të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve thanë se kreu i Kuvendit, dy ditë para mbledhjes, u ka vënë në dispozicion vetëm kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, por jo provat që ka paraqitur SPAK.

Mësohet se USB-ja me prova është ende në zyrën e Peleshit dhe nuk iu është shpërndarë deputetëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB