Bashkimi Europian rikonfirmon: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Unionit Europian

17/12/2025 21:46

Bashkimi Europian ka rikonfirmuar angazhimin e tij të plotë dhe të pakushtëzuar për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke theksuar se e ardhmja e rajonit është brenda Unionit.

Deklarata u miratua në përfundim të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku liderët europianë u konsultuan me partnerët e rajonit.

Në deklaratë thuhet se lufta agresore e Rusisë kundër Ukrainës dhe sfidat e shtuara gjeopolitike e bëjnë edhe më të domosdoshëm forcimin e lidhjeve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti cilësohet si momenti më i rëndësishëm vjetor për të rikonfirmuar partneritetin strategjik mes palëve.

BE thekson se zgjerimi është një investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin dhe se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar. Sipas deklaratës, përshpejtimi i procesit të anëtarësimit varet nga reformat e besueshme, respektimi i kushteve dhe parimi i meritës individuale të secilit vend.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian pranon se edhe vetë BE-ja duhet të vijojë reformat e brendshme për t’u përgatitur për zgjerimin.

BE vlerëson angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar vlerat europiane, shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të drejtat themelore, por kërkon që kjo të reflektohet në veprime konkrete, veçanërisht në fushat kyçe si liria e shprehjes, media e pavarur, barazia gjinore dhe roli i shoqërisë civile. Po ashtu, theksohet rëndësia e garantimit të të drejtave të pakicave.

Deklarata nënvizon se Ballkani Perëndimor po afrohet gjithnjë e më shumë me BE-në përmes integrimit gradual në Tregun e Përbashkët Europian. Përmenden hapa konkretë si ulja e kostove të roaming-ut, përfshirja në zonën SEPA për pagesat bankare, iniciativat digjitale dhe modernizimi i pikave kufitare.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me një mbështetje deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime, shihet si kyç për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të rajonit, krahas 29 miliardë eurove të Planit Ekonomik dhe të Investimeve.

BE rikonfirmon mbështetjen e palëkundur për Ukrainën dhe kërkon nga vendet e Ballkanit Perëndimor harmonizim të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

Po ashtu, theksohet nevoja për përmirësim të bashkëpunimit rajonal, normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe menaxhim më të mirë të migracionit.

Në përfundim, BE njofton se Samiti i ardhshëm BE–Ballkani Perëndimor do të mbahet në Mal të Zi, në qershor të vitit 2026, ndërsa mirëpret përputhjen e vendeve të rajonit me këtë deklaratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB