Nderohet Artur Zheji, Unioni i Gazetarëve i jep pas vdekjes çmimin ‘Karriera për vitin 2025”
Në kryeqytet po zhvillohet edicioni i nëntë i Balkan Film Market, me fokus te projektet në zhvillim dhe talentet e reja.
Balkan Film Market krijon ura bashkëpunimi mes regjisorëve, producentëve dhe institucioneve të filmit, duke hapur mundësi konkrete për financim dhe bashkëprodhime ndërkombëtare.
“Para 9 vitesh vendosëm ta nisnim këtë rrugëtim së bashku dhe sot jemi këtu. Viti i ardhshëm është përvjetori i dhjetë i Balkan Film Market dhe kjo tregon se ky projekt do të vazhdojë”, u shpreh Rafaela Rica, themeluese e aktivitetit.
Edhe pse mbështetja institucionale këtë vit ka qenë më e kufizuar, organizatorët theksojnë se interesi ndërkombëtar për marketin është në rritje.
“Ka një prezencë të fortë italiane sepse ky aktivitet ka lindur nga bashkëpunimi me Italinë. Kemi realizuar projekte konkrete dhe tani është koha për bashkëpunime të reja. U kemi dhënë jetë 10 projekteve filmike, cikle serish televizive dhe shumë projekteve të përbashkëta. Tani është momenti të shohim të tjera bashkëpunime dhe të prodhojmë së bashku“, shtoi themeluesi Ilir Butka.
Këtë vit, rreth 90 për qind e të ftuarve marrin pjesë për herë të parë, ndërsa fokusi është vendosur te vendet e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimi me Italinë.
“Shumë nga ata që rikthehen, vijnë sepse kanë prodhuar projekte konkrete. Gjatë marketit do të nënshkruajmë marrëveshje të rëndësishme“, u shpreh Andamion Murataj.
Kulmi i Balkan Film Market pritet më 19 dhjetor me PitchBalkan, zemra e marketit, ku projektet filmike do të prezantohen përballë producentëve dhe financuesve ndërkombëtarë, duke hapur rrugë të reja për kinemanë e rajonit.
Me një seri të hollësishme panelesh që përqendrohen në zhvillimet më të fundit në industrinë e filmit, të plotësuara nga evente të shumta networking, Balkan Film Market që do të përmbyllet në 20 dhjetor, hap mundësi të shumta për kineastët nga rajoni i Ballkanit, për të rritur praninë e tyre ndërkombëtare dhe për të aksesuar mbështetje shtesë.
Top Channel