“U nxitua ta hiqte nga detyra, qoftë dhe me arrest”/ Kërkesa e SPAK për Ballukun, Curri debat me Dudushin: Edhe Berlusconi është hetuar, por…

16/12/2025 22:40

SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut! Një kërkesë e tillë ka kthyer në nul lojën politike të qeverisë nëpërmjet vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për të mbajtur në detyrë zv.kryeministren.

Lajmin që vërtitej në ajër prej javësh tashmë ka marrë formë zyrtare, pasi Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar zyrtarisht parlamentit heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun!

Në shkresën e firmosur nga Altin Dumani, i cili e mbyll mandatin me një goditje shumë të fortë, kërkohet zëvendësimi i masës nga ajo e ndalimit të daljes jashtë vendit dhe pezullimit nga detyra në heqje lirie, pra arrestim.

Analisti Arjan Curri dhe gazetari Alban Dudushi patën një debat në studion e “Top Story” sa i përket kësaj çështje, me Currin që u shpreh se SPAK po ndjek çdo mënyrë për ta pezulluar Ballukun, ndëfrsa Dudushi shprehet se Prokuroria e Posaçme mund të vijonte me hetimet pa kërkuar arrestimin e zv/kryeministres.

Pjesë nga debati

Dudushi: SPAK-u po godet pa pasur baza të forta. Po fut në burg,… ka më shumë të paraburgosur se të burgosur. Po ecën në statistika dhe i duhen këto statistika për të treguar se sa shumë ka punuar. Ndërkohë që nuk ka asnjë vendim të formës së prerë të jetë marrë deri më sot. Kjo është ajo që po thotë akoma dhe më shumë mazhoranca.

Curri: Nuk e ka pasur si qëllim arrestimin e znj. Balluku.

Dudushi: Kush e mendon SPAK-un e kontrolluar… është pushtet më vete. Ajo që mua nuk do të më pëlqente që ta bënte SPAK-u është të tërhiqej në atë betejën politike që nuk është e tija, sepse po u fut në betejën politike që nuk është e tija duke e ndjerë veten në pushtet, praktikisht kanë fituar politikanët, jo SPAK.

Curri: E ke gabim. SPAK-u thotë që është i shqetësuar sepse nëse zonja kthehet në detyrë prish provat, intimidon vartësit. Prandaj nxitohet për ta hequr nga detyra, qoftë edhe me arrest. Nuk është arresti qëllimi në vetvete.

Dudushi: Berlusconi ka qenë kryeministër, është hetuar si kryeministër, i kanë hapur procese gjyqësore si kryeministër pa e futur në burg, pa i dhënë masa ndëshkuese duke thënë që ky do na prishë provat.

Curri: Nuk është njësoj. Është tjetër një ministre e linjës, tjetër një kryeministër.

Dudushi: Si nuk është njësoj?! Pushtet për pushtet.

Curri: Berlusconit ata i ranë kur ai ishte në momentin e tij më të dobët.

Dudushi: Jo mor zotëri se ka nisur që në ’94-’95…

Curri: Po dhe i ranë kur ishte bërë për azil. Mos e krahaso me Italinë ti. Krahasohej me vendet e rajonit. Rumaninë, Maqedoninë, Bullgarinë, me këto vende ku BE-ja ka marr SPAK-at respektivë dhe kanë bërë të njëjtën gjë. Kaq e thjeshtë është.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB