“Pse votuat Endri Shabanin”/ Balla: Ishte kandidaturë e opozitës, ishte zgjedhja më e mirë…
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka komentuar zhvillimet e fundit politike në PD.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spaho iu është përgjigjur atyre që e akuzojnë pse po flet tani për gjendjen ku ndodhet PD-ja.
Sipas tij, drejtimi aktual i Partisë Demokratike “po sillet si pulë pa kokë”, ndërsa kritikat e tij nuk lidhen me emra të përveçëm, por me parimet dhe idealet mbi të cilat është ndërtuar PD-ja. Ai nënvizon se në 35 vite angazhim politik nuk ka tradhtuar asnjëherë dhe se i ka qëndruar besnik idealeve, edhe kur kjo i ka kushtuar politikisht.
Ndër të tjera Spahi zbulon çfarë i ka thënë kreut të PD, Sali Berishës, “Në shtator 2021, kur filloi Foltorja, jam takuar me zotin Berisha në zyrën e tij, me kërkesën e tij për të mbështetur Foltoren. I premtova mbështetje të plotë, si dhe i shpreha dy shqetësime:
“E ke seriozisht këtë lëvizje që po fillon?” M’u përgjigj: PO. Më vonë kuptova se Foltorja u braktis për interesa që nuk lidheshin me ato me të cilat u krijua.
I sugjerova të mos merrej me amerikanët, pavarësisht se të kishin rënë në qafë. Të merreshim me partinë, ta forconim dhe të ktheheshim në alternativë qeverisëse. Nuk m’u përgjigj”.
Reagimi i plotë:
Kritikëve të mi!
Shikoj shumë militantë që më ofendojnë pa fund në Facebook për qëndrimet që po mbaj dhe kritikat ndaj udhëheqjes së PD-së, e cila, sipas meje, po sillet si pulë pa kokë.
Duket se për militantët jam tradhtar. Megjithatë, dua t’ju pyes pse nuk më quajtët tradhtar:
Në shtator 2021, kur ndër të parët u rreshtova në krah të Foltores?
Në tetor 2021, kur së bashku me katër deputetë të tjerë, përfshirë Sali Berishën, u përjashtova nga PD-ja? Të gjithë në 2025 u futën në listë të mbyllur. Unë jo, dhe nuk u ankova.
Kur u përjashtova 50 ditë nga Parlamenti, sa rrallë ndonjë tjetër?
Kur i rashë bilbilit në shenjë proteste për 6 orë në Kuvend, duke shkelur mbi reputacionin tim, sepse besova se do ta rrëzonim Ramën?
Kur mbroja “non grata”-n dhe kritikoja Ambasadën dhe Administratën Amerikane, megjithëse reputacionin e kisha si proamerikan i thekur?
Kur çdo ditë, së bashku me 5–6 deputetë, shkoja në protestë te Rruga e Shpresës dhe flisja më shumë se kushdo tjetër? Të tjerë “tanët” kishin ndrojtje të vinin.
Kur dola i dyti me vota në primare në gjithë grupin parlamentar dhe nuk u futa në listë të mbyllur, dhe prapë nuk u ankova?
Në 35 vjet nuk e kam dredhur asnjëherë dhe i kam qëndruar besnik jo emrave, por idealeve të PD-së.
Në shtator 2021, kur filloi Foltorja, jam takuar me zotin Berisha në zyrën e tij, me kërkesën e tij për të mbështetur Foltoren. I premtova mbështetje të plotë, si dhe i shpreha dy shqetësime:
“E ke seriozisht këtë lëvizje që po fillon?” M’u përgjigj: PO. Më vonë kuptova se Foltorja u braktis për interesa që nuk lidheshin me ato me të cilat u krijua.
I sugjerova të mos merrej me amerikanët, pavarësisht se të kishin rënë në qafë. Të merreshim me partinë, ta forconim dhe të ktheheshim në alternativë qeverisëse. Nuk m’u përgjigj.
Së fundi: burrat mbahen nga fjala që japin, sidomos kur janë në moshë të thyer. Akoma më keq kur të hanë pas krahëve. Flas për burra, jo për flamurka.
Kritikat e mia janë të drejta dhe bazohen mbi gabimet 13-vjeçare që kemi bërë së bashku. Që të fitojmë, duhet strategji e re, njerëz të përkushtuar dhe punë e pafund në bazë për të ngritur PD-në, e cila sot duket e vënë përfund.
Nuk është sot hera e parë që flas. Mendimet e mia prej më shumë se dy vjetësh i kanë me shkrim Sali Berisha dhe Flamur Noka. Kritikat ndaj këtij të fundit m’u kthyen në bumerang. Besova se Foltorja ishte e sinqertë.
Top Channel