Fiks Fare/ Oficerët të paaftë, dosja e shqiptarit nga Kosova që do pasaportë humb brenda Policisë së Durrësit

15/12/2025 20:50

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës veprimet e punonjësve të Policisë së Durrësit, të cilët kanë humbur dosjen e një shqiptari nga Kosova që donte pasaportë shqiptare.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Nazim Hajdinin, shqiptar nga Kosova, i cili do pasaportë shqiptare për vete dhe familjen.

“Kam pasur mundësi t’a marr nga vendet europiane, pasi kam jetuar në Gjermani e Suedi, po për patriotizëm e dua atë shqiptare. Kam luftuar për këtë flamur e këtë vend. Kam 12 vjet në Shqipëri, me leje qëndrimi të përhershme, kam aplikuar 2-3 herë për t’u pajisur, dhe s’më kanë dhënë asnjë përgjigje”, pohon Nazimi.

Ai thotë se në Shqipëri ka jetuar me periudha të gjata, ka hapur biznes dhe ka dokumente të rregullta të banesës. “Të gjitha në rregull, s’kam pasur asnjë problem me ligjin dhe gjithçka tjetër. Por, nuk më jepnin asnjë përgjigje”, shton Nazimi.

Sipas tij, në 2-3 herët që ka aplikuar, as më kanë kthyer përgjigje pozitive apo negative. “Aplikimi i fundit në 2023. Shkova tani afër dhe më thanë se s’ke dosje. I tregova dosjen time dhe më thanë se nuk e di çfarë ka bërë ai punonjësi i parë. Tani as e gjejnë dosjen, e kanë humbur”, përfundon ai.

Pas ankesës, Nazimi interesohet në Drejtorinë Vendore të Policisë së Durrësit dhe pyet për herët që ka aplikuar. Ai takon një oficer policie, duke i thënë se ka aplikuar disa herë dhe përse s’ka asnjë përgjigje. Punonjësi i thotë se ka kërkuar dhe s’ka gjetur dosjen e tij. Efektivi i policisë i tregon se duhet të aplikojë nga e para, i bën listën dhe duhet të presë ende!

Gazetarët e “Fiks Fare” telefonojnë oficerin Shkëlqim Osmani, i cili thotë se qytetari duhet të bëjë një aplikim të ri për t’u pajisur me pasaportë shqiptare, pavarësisht faktit se ka aplikuar disa herë më parë dhe se dosja e tij është humbur nga vetë institucioni.

Pra, pas 12 vitesh qëndrimi të ligjshëm në Shqipëri, me leje qëndrimi të përhershme, me biznes, banesë dhe dokumente të rregullta, përgjigjja e policisë për Nazim Hajdinin është e thjeshtë dhe e ftohtë “dosja nuk ekziston”.Asnjë shpjegim se si humbet një dosje zyrtare, asnjë përgjegjësi për punonjësit që e kanë administruar, asnjë hetim administrativ. Vetëm një zgjidhje, të nisë gjithçka nga e para. Policia i kërkon Nazimit të aplikojë sërish, ti dorëzojë edhe një herë dokumentet që i ka dorëzuar prej vitesh dhe të presë. Sa? Askush nuk e di. Pse? Nuk jepet asnjë përgjigje!

Në këtë histori, qytetari nuk është viktimë e mungesës së dokumenteve, por e paaftësisë dhe e papërgjegjshmërisë institucionale. Dosja humbet, por fatura i shkon qytetarit.

a Fiks Fare, institucioni konfirmon zyrtarisht se qytetari duhet të bëjë një aplikim të ri, duke shmangur çdo përgjegjësi për humbjen e dokumentacionit dhe për vitet e pritjes pa përgjigje. Në fund, shteti nuk kërkon ndjesë, nuk jep shpjegime dhe nuk mban përgjegjësi. Thjesht i thotë qytetarit “radhë nga fillimi”.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB