Duket se vizita e parë zyrtare e ministres së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Eliza Spiropali, pasnesër në Athinë pritet me interes të madh.
Shembull i qartë është intervista për gazetën greke Ta Nea, ku Spiropali shprehet e vendosur se vjen në kryeqytetin grek të diskutojë “për gjithçka” me homologun grek, Jorgo Gerapetritis, duke e cilësuar Greqinë si një partner strategjik për Shqipërinë.
Në dy prej katër pyetjeve drejtuar asaj, referuar axhendës së bisedimeve, kryediplomatja shqiptare thekson se dialogu do të jetë gjithëpërfshirës, 360 gradë, siç është shprehur tekstualisht – nga bashkëpunimi ekzistues deri te fushat ku ka hapësirë për përmirësim të mëtejshëm.
Ajo nënvizon se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të zgjerohen në sektorë strategjikë si energjia, sidomos burimet e rinovueshme dhe siguria energjetike rajonale, mbrojtja e mjedisit, transformimi dixhital, turizmi dhe siguria. “Le të fillojmë një kapitull të ri, atë më të mirin deri tani në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë”, ka thënë ajo.
E pyetur për hapat e mëtejshëm në çështjet ende të pazgjidhura mes dy vendeve, mes të tjerash edhe atë të delimitimit të zonave detare, ajo ka theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar për zgjidhjen e tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë, duke lënë të hapur rrugën e dialogut dhe mekanizmave ligjorë ndërkombëtarë.
Në intervistën e saj, ministrja shqiptare i kushton rëndësi edhe rolit të diasporës shqiptare në Greqi, duke deklaruar se do të ngrejë çështje që lidhen me lehtësimin e procedurave administrative, futjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat greke, apo edhe finalizimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore, e cila do të garantojë njohjen e drejtë të pensioneve dhe kontributeve për emigrantët shqiptarë në Greqi.
Gjithashtu, Spiropali ndalet edhe te procesi i integrimit evropian, duke e cilësuar atë si një objektiv strategjik dhe një domosdoshmëri praktike për Shqipërinë. Ajo vlerëson mbështetjen e Greqisë edhe në vitet e kaluara, edhe tani, dhe shprehet optimiste se presidenca greke e BE-së në vitin 2027 do ta mbajë zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor në qendër të axhendës evropiane.
Top Channel