Nga Agron Gjekmarkaj
Andrallat dhe të fshehtat e së enjtes rikthejnë “Kronikën” të dielën.
Nuk po u besoja syve tek pashë grupin tonë parlamentar tek lante me lot një portret mbi tavolinë dhe diçka mërmëritej përvajshëm si akejtë mbi Patroklin!
Afrohem në majë të gishtave, gjithë ankth, si të gjithë ata që duan të shtyjnë marrjen e një lajmi të keq sa më gjatë!
Ç’të shoh?! Një fotografi e Gaz Bardhit! Mos?! Ç’i ka ndodhur evlasë, vikata?! Albana vazhdonte: “Mbahu PD, mos ki frikë se ke Gazin në Amerikë, në Senat e në Kongres shkoi qafiri, serbes serbes, në Shtëpi të Bardhë e mbajti hapin Babos me i ndalë vrapin”!
Elda Hoti e mbante për krahu. Flamur Hoxha mblidhte lotët e të pranishmeve mbi një lotore si ajo e Neronit, pikë-pikë! Jorushi rrinte gati me një brokë ujë mos ndokush zalisej!
Mora frymë i lehtësuar sepse asnjë gjëmë nuk kishte në mes!
Negociatat e mia për të zëvendësuar deputetin trazovaç e zhurmëmadh në anë të korridorit, i cili refuzon të identifikohet me emër, por që “xhixhin”, qenin e tij e thërret djalë dhe më gjymton të menduarit e shëndetshëm me Brunilda Çakërrin ose, tek e fundit, me Buçkon apo të zymtin Tërmet, nuk po kanë sukses! Ju drejtova njërit prej tre buajve të parlamentarizmit, Taos!
“Nuk të ndihmoj dot, tha, o byrazer! Brunilda druaj mos të shpërqendron, tha, dhe ‘Kronika’ bëhet shumë lirike, humbet tharmin kritik.
Ne thamë shyqyr që iku Etilda e ti prapë me kësi dënglash!
Tërmeja ta ka bërë benë dhe sa herë t’i kujtohen pikëllimet dhe brengat që i ke shkaktuar Tezës, duke i vënë në dukje putirin, veshjet kombëtare kur ia vallës oshënare në Berlin para Babos së mufatur, bezdisë si të ishte një sorkalle adoleshente, nuk do të mbahet, të kopanis! Nuk ta bëj dot këtë.”
Ndërsa Buçkon ia kemi lënë si pritë Ogit ndaj Zeniqesë! E pe sot, sa iku Buçkoja në yzyrhane, i shkoi aty dhe i bënte pyetje që të prishin gjakun, a është Tao gjeni apo korife, sikur do të më fuste në hasmëri me Babon!
Po Ogi ç’i tha?! Ajo bëri sikur s’e kuptoi dhe i tha se për gjëra delikate kompetent është Ervin Hoxha!
Zeqineja shkoi dhe u ul në mes të Linditës e Ervinit, duke ua ndarë respektin me nikoqirllëk, nën shikimin e shushatur të Ulësisë, i cili bashkë me të ka krijuar një duet mendimi!
Hataja ndodhi kur Kryezëvendës Lideri ynë, Flamuri, që Zoti ia bëftë ditët një mijë, i tha Taos “injorant”!
Aty Tao nuk mbajti! Mazhoranca u tendos e gjitha për të mbrojtur erzin intelektual të tij!! U kalua Rubikoni, u kalua Rubikoni, etika u shemb, fyerja mori dhenë, çirrte faqet e hante thonjtë me dhëmbë, Erjon Malaj i PS-së, “shpagim-shpagim” ulëriste!
Po kur Kryezëvendës Lideri na bëri një leksion etimologjik që fjala “injorant” nuk është fyerje, por padije për një çështje të caktuar, gjakrat u ulën!!!
Erald Kapri, si një bej topolak, por pa fesin e kuq mbi krye, me një cullufe në qosh që i nget mendimin e, pakëz i skuqur nga emocionet dhe shëndëja birinxhi, mban fjalime të mira nacionalizme e konservatorizme! Qerratai, tani që është bërë një prej etërve të kombit, rri gjithë nurë-sëllëk.
Klodi nga lart ia mori këngës: “A e do Shabanin për burrë, moj nënë?!”
Ne nga poshtë i thonim: “Nuk e duam Shabanin, mbajeni për vete!”
Toni bënte shartet e martesës mes Shabes dhe Qeverisë, duke u futur në gojë nga një llokum!
Ndërkohë, një ministër me mjekër fliste ëmbël me Tezën dhe të dy dukeshin si dy motrani e shoqeni. Me të pasë lezet shpirti me i këqyrë!
Gonxhja, që hajër mos bëftë që i zuri vendin Margaritit, që mall e brengë na ka shkaktuar, kishte hedhur një velenxë mbi supe dhe dremiste si kalë në haur.
Mamica kishte zbritur nga qielli, në faqe ende i kishin mbetur shenjat e Rutte Kodoshit, që e shoftë damllaja e shoftë se desh na la pa të, e mbyti me të puthura! Neve këtej na afron vetëm qoshen e kokës! Nuk lëshoi llaf as zë, me sy lypte një duhan, por Nallbaja nuk qe as t’ia jepte, as t’ia ndizte!
Pas fjalimit tim plot me referenca e citime, u çua tribuni e poeti popullor Dilo Nasufi dhe lexoi një vjershë përmalluese, fryt mendimesh të pjekura mjaltë!
Flet Levendi për buxhetin
Dhe na qesendis Hyqmetin
Që zdërhallet për miletin
Dhe çudit tërë dovletin.
Nga mëngjesi gjer në darkë
Mejtoni për oligarkë
Këtu na thoni gjepura
S’bëhet stan me lepura.
S’pyesim ne për Erik From
Se kemi Zeniqenë tonë
I zgjedh fjalët me lezet
Lum kush e ka kismet.
As ai Albert Kamyja
S’na bën fajde te partia
Asaj pune mos i hyni
Se ne këtu na zë leximi.
Babon kemi dhe “Kurbanin”
Ai na e ka gjetur zamanin!
Komiku Aristofan
Desh t’hynte në sallë, në qosh
Po zaptijet nuk e lanë
Se u dukesh kokëbosh!
I thanë: mos na bëj hile
Se këtu është Sara Mile
Rënkonte komiku me përgjërim
Jam këtu për Mamicën, pa të s’ka amëshim!
Meqë ra fjala, buxheti
As na prish, as na ndreq
Kush u zgjua, ra prapë fjeti
Njëri shton, tjetri heq.
Salla shpërtheu në duartrokitje! Kostaqi, i ulur në llozhën ku Genci Gjonçaj nuk linte të ulej njëri pa u kthyer i uruari, vështronte si Sokrat i vuajtur dhe mejtonte: “Ç’të bëjmë më tej me këta të paudhë?!” Genci vetë hante fara luledielli në llozhën e vet, me shpresën që ndokujt do t’i dukej i rëndësishëm.
Blendi Klosit i humbnin llafet si dhitë në mal!
Damua kishte lyer flokët me një bojë të prarur që i shkonin me xhaketën dhe buzëqeshte gjithë kohës si faraon lozonjar!
Enno Bozdi, si keleust, ishte personi që jepte komandat dhe mbante ritmin e rremtarëve, shpesh me zë të lartë, “pro” – “kundër”, dhe Ivi Kaso e admironte për timbrin dhe vendosmërinë!
Në darkë nga e vona erdhi Babua si gjever ose kryekrushk për dasmën e Shabes! Na këqyrte me mall e ne po ashtu!
Kiduina pllaquriste duart me gëzim: erdhi, erdhi, erdhi. Ishte hera e parë që e shihte nga afër.
Që mos të shpërthenin të qara, ikëm nga salla! Nikua, i menduar, nga lart, na qortonte me sy dhe dukej sikur thoshte: “Po pse more, ju plaçin sytë, pse do kalojnë muaj e muaj derisa ta shihni prapë, do ju dergjë malli!” Jo, jo, pa merak, i thamë, do shkojmë të piqemi më 22 dhjetor te Kryeministria!
Top Channel