Griezmann vendimtar në Metropolitano, Atletico mposht Valencian 2-1 dhe ruan rekordin perfekt në shtëpi
Spotify Camp Nou mbetet i pathyeshëm. Barcelona mbylli vitin 2025 me një fitore shumë të rëndësishme ndaj Osasunës, duke marrë tri pikë të arta në një ndeshje të vështirë, të fituar me shumë durim dhe punë.
Skuadra katalanase dominoi plotësisht posedimin e topit, por u përball me një Osasunë të mbyllur fort në mbrojtje, e cila udhëtoi në Barcelonë me objektivin e qartë për të mos pësuar gol. Hapësirat mungonin, ndërsa Lamine Yamal u neutralizua me markime të dyfishta dhe trefishta. Pavarësisht presionit konstant, goli vonoi të vinte.
Barcelona krijoi raste të shumta, me Pedrin, Ferran Torresin, Eric Garcían dhe Rashfordin që provuan nga distanca apo brenda zonës, por portieri Sergio Herrera u tregua i sigurt. Një gol i Ferran u anulua për pozicion jashtë loje pas ndërhyrjes së VAR-it, duke shtuar edhe më shumë tensionin në tribuna.
Osasuna u përpoq të rrezikonte vetëm përmes kundërsulmeve sporadike, ku Budimir ishte pika kryesore e referimit, por Joan García ishte vendimtar në portën blaugrana, duke neutralizuar çdo tentativë serioze.
Zhbllokimi i ndeshjes erdhi më në fund kur Pedri dhe Raphinha lidhën perfekt mesfushën me sulmin. Një rikuperim dhe depërtim i Pedrit solli pasimin për Raphinhën, i cili lëshoi një goditje të fuqishme dhe të pakapshme, duke mposhtur Herrerën dhe duke i dhënë epërsinë Barcelonës.
Pak minuta më vonë, kapiteni Raphinha vulosi fitoren me golin e dytë, pas një aksioni nga krahu dhe devijimit të topit në zonë. Në minutat e fundit, Barcelona administroi me qetësi rezultatin, me Pedrin që dhuroi një tjetër paraqitje brilante në kontrollin e lojës.
Me këtë sukses, Barcelona konfirmon “Camp Nou”-n si një kështjellë të vërtetë, mbyll vitin me fitore dhe vazhdon marshimin e saj si lidere e kampionatit.
REZULTATI:
Barcelona 2-0 Osasuna
Raphinha 70’, 86’
Top Channel