Nga Altin Krekas

Zgjedhja e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit, në rastin më të mirë, është një skemë e mirëorganizuar mes Berishës dhe socialistëve; ndërsa në rastin më të keq, është një pasqyrë e qartë e çorganizimit total të një partie që duket se nuk ka më as ide, as strategji dhe as busull politike.

Besim Ndregjoni, ish-i përndjekuri politik që mbeti i zhgënjyer, me shumë gjasë beson se gjithçka ishte një lojë e Sali Berishës, i cili e “preu në besë”. Por vetë Berisha nuk e pranon etiketimin e pabesisë dhe, me sa duket, kërkon të na bindë se varianti i dytë është më i besueshëm: pra, që Partia Demokratike ka përfunduar në atë pikë sa të merret për hunde jo vetëm nga Edi Rama, por edhe nga Taulant Balla në Kuvend.

Prej marrëveshjeve politike, institucioni i Avokatit të Popullit i lihej opozitës si një mundësi për të propozuar dhe zgjedhur përfaqësuesin e saj. Nuk ishte rastësi që Erinda Ballanca u zgjodh Avokate e Popullit, ndërkohë që më herët kishte qenë avokate personale e Berishës, kur ky i fundit u padit për shpifje nga e ëma e kryeministrit Rama, si dhe avokate e Lulzim Bashës në kohën kur ishte ministër i Transporteve. Histori të ngjashme ka pasur edhe më herët, ashtu siç ka pasur edhe raste kur kjo skemë është thyer.

Vendosja e pragut prej 84 votash për zgjedhjen e Avokatit të Popullit në Kuvend është bërë pikërisht për të garantuar konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. Por përtej analizës së emrit kush është Endrit Shabani dhe nëse duhej apo jo të ishte Avokat i Popullit ajo që vlen të analizohet është sjellja politike e partisë më të madhe të opozitës. Një parti që pretendon se po organizohet për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti, por që rezulton e paaftë të mbrojë edhe atë pjesë minimale të terrenit që socialistët ia kanë lënë vetë.

Taulant Balla, në emër të PS-së, e bëri të qartë se socialistët nuk do të propozonin asnjë kandidat për Avokat të Popullit, por do të votonin një nga kandidatët që do të merrte firmat e deputetëve të PD-së. Berisha dhe opozita kishin plot tre vite kohë për ta menduar, diskutuar dhe vendosur se cilin kandidat do të mbështesnin. Por në ditën e fundit, procesi u rrëshqet nga duart dhe deputetët demokratë, të rinj e të vjetër, me bekimin e drejtuesve hedhin firmat për pothuajse çdo kandidat që u troket në derë.

Kur u bë e qartë se socialistët do të votonin kandidatin e tyre të preferuar, Endrit Shabanin, PD deklaroi tërheqjen e firmave në një moment kur afatet ligjore kishin përfunduar. Ndjesa e Berishës më pas, se firmat u dhanë sepse menduan që Shabani ishte “me PD-në” pasi mbështeste Florian Binajn si kandidat të pavarur, nuk zë shumë vend si justifikim për atë që ndodhi.

Me gjithë besimin e Besim Ndregjonit se PD është ende e mirëorganizuar dhe se Berisha e bëri qëllimisht “pabesi”, faktet, fatkeqësisht, tregojnë të kundërtën. Partia Demokratike nuk ka asnjë strategji të qartë që zbatohet nga strukturat e saj drejtuese. Kryesia, forumet dhe grupi parlamentar duken të mpira nën hijen e pushtetit absolut të Berishës.

Edhe Ervin Salianji, i cili po tenton të nisë një lëvizje që nuk i pëlqen Berishës, sipas kryetarit të PD-së, nuk ka ngritur asnjë shqetësim serioz në forumet e partisë. Hija e rëndë e liderit historik, i cili “u ringjall si sfinks” kur tentuan ta nxirrnin nga loja, ka paralizuar çdo iniciativë. Të gjithë presin të shohin se çfarë do të vendosë Berisha.
Por edhe doktori e di se nuk është mbinjeri. Ai është një i moshuar në të 80-at dhe një parti nuk mund të drejtohet pafundësisht nga një njeri i vetëm, aq më pak nga dikush në këtë moshë, por nga forume funksionale. Zërat mbështetës të PD-së përpiqen ta justifikojnë këtë rrëmujë me argumentin se në forume apo në grupin parlamentar ka individë me nivel të ulët. Edhe kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk është aspak zgjidhja.

Në një parti ku asgjë nuk pipëtin pa lejen e doktorit, është e qartë se zgjidhja dhe rruga për rikthimin e shpresës së opozitës duhet të vijë, ironikisht, sërish prej tij. Por, duke parë zhvillimet e deritanishme, rezultati final vështirë se do të jetë shumë i ndryshëm nga ajo që po ndodh sot.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta