Të mërkurën në Prishtinë u mbajt premiera e filmit “Djelmoshat e Rrezikshëm”, duke rikthyer në ekran një prej projekteve më të njohura të kinematografisë vendase.

Aktorët dhe pjesëtarët e ekipit ndanë emocionet e tyre për këtë rikthim pas më shumë se dy dekadash. Regjisori dhe aktori Halil Budakova tha se ekipi është përpjekur t’i qëndrojë besnik pritshmërive të publikut.

“Si zakonisht jemi mundu me e xhiruar një film sa më të mirë për publikun shqiptar sepse populli dhe publiku na ka përkrah gjithmonë. I falënderoj shumë, shpresoj që ka me u nda i kënaqur dhe ka me i thyer të gjitha rekordet”, tha aktori.

Merita Budakova, një tjetër emër kyç i projektit, kujtoi suksesin e pjesës së parë dhe tha se pret që edhe rikthimi të ketë jehonë të madhe: “Është një ngjarje që po rikthehet dhe në kohën kur është shfaqë “Djelmoshat e rrezikshëm Pjesa e Parë” ka thyer të gjitha rekordet, shpresoj që edhe rikthimi do t’i thyejë rekordet. Jemi mundu me e dhanë më të mirën e mundshme, gjithçka që ndodhë në realitet ta sjellim përmes ekranit”.

Emocionet nuk munguan as te pjesa tjetër e ekipit që përmendën sfidat dhe energjinë e re në film.

Aktori Alban Makolli tha: “Jemi munduar ta mbajmë ngjarjen, por ka qenë pak e pamundur. Kemi krijuar një ngjarje të re, gjithmonë duke e ruajtur personazhin kryesor që ekzekutohet prej Halil Budakovës, ka pas aktorë të ri, ka pasur aktorë nga Italia, nga Shqipëria”.

Premiera u shoqërua me pritje të ngrohtë nga artdashësit, derisa filmi tashmë ka nisur rrugëtimin në sallat vendore me synimin për të kapur suksesin e dikurshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta