Sulmi në Ibër-Lepenc, Kurti: Të akuzuarit për shpërthimin ishin të lidhur me shtetin e Serbisë I dyshuari për sulmin në Ibër-Lepenc spiunoi edhe KFOR-in.
FBI ndihmoi në identifikim përmes dheut në çizmet e të dyshuarve. Një vit pas, Prokuroria Speciale të martën ngriti aktakuzë për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Sipas aktakuzës, Jovan dhe Dragisha Viçentijeviç më 29 nëntor të vitit 2024 kishin vendosur në kanalin e Ibër – Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut rreth 20 kilogramë eksploziv me një çantë që e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni.
Dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë 400 mijë euro. Bazuar në aktakuzën e prokurorisë, përgjegjësi kryesor del të jetë Jovan Viçentijeviç që ka punuar edhe për shërbimin informativ të ushtrisë së Serbisë. Prokuroria ka arritur të mbledhë prova lidhur me veprimtarinë e tij të jashtëligjshme. Sipas dosjes, ishte funksionar i shërbimit të inteligjencës ushtarake në gradën toger, deri në momentin e arrestimit të tij më një dhjetor 2024.Si pjesë të provave për veprimtarinë e spiunazhit, brenda dosjes është edhe dokumenti i klasifikuar nga KFOR-i, duke provuar kështu që Viçentijeviç ka spiunuar misionin e NATO-s te shteti serb.
“Gjithashtu gjatë analizimit të dokumenteve ka rezultuar me gjetjen e një raporti që dyshohet se është përpiluar nga KFOR-i dhe siç shihet dokumenti prej 66 faqesh është i klasifikuar si Konfidencial ku përshkruhet situata e sigurisë tek “Kroi i Vitaku” në Mitrovice gjatë vitit 2009. Ky dokument konfidencial i përpiluar nga KFOR-i, i dt. 28 prill 2009, ishte siguruar nga i pandehuri Jovan Viçentijeviç, që dëshmon për veprimtarin e tij të spiunimit”, thuhet në aktakuzë, që shtohet se ai ishte i angazhuar për një kohë të gjatë nga inteligjenca serbe për mbledhjen e informacioneve të ndjeshme për KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe objektet strategjike në veri.
Pjesë e hetimeve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit ishte edhe Byroja Federale e Hetimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kryen analizat e dheut që u gjet në çizmet e dyshuarve, duke ndihmuar kështu në punën hetimore të institucioneve të Kosovës. Mostrat ishin marrë nga çizmet që ishin gjetur në shtëpinë e Dragisha dhe Jovan Viçentijeviç dhe janë krahasuar me mostrat e dheut te vendi i ngjarjes. “Nuk ka dallueshmëri, për sa i përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes së dheut, çka vërteton se të pandehurit kanë kryer aktin terrorist ndaj kanalit “Ibër Lepenc””, thuhet në aktakuzën që si pjesë të provave ka raportin e FBI-së.Përveç këtyre provave, Prokuroria Speciale, përmes fotografive që ka gjetur në telefonin e tij, tregon se Viçentijeviç, në kohën e sulmit në Banjska, ka ndihmuar një person të identifikuar si Zhivko Jaksiç të largohet nga territori i Kosovës.
Përpos kësaj, Viçentijeviçin e lidhë me sulmin terrorist të 24 shtatorit edhe përmes deklarimeve që i njëjti ka bërë gjatë kohës sa është transportuar nga Mitrovica e Veriut në Prishtinë e pastaj edhe për në qendrën e paraburgimit.
Top Channel