Inside Story/ Pasojat e vettingut dhe hartës së re gjyqësore, gjyqtari: Ngarkesa bën të pamundur zbardhjen në kohë të vendimit

10/12/2025 21:39

Reforma në drejtësi është një ndër proceset më të rëndësishme të Shqipërisë në rrugëtimin e stërzgjatur drejt Bashkimit Europian.

Kapitujt 23 dhe 24 janë të lidhura me mbarëvajtjen e drejtësisë në vendin tonë.

Respektivisht “Gjyqësori, të drejtat themelore” dhe “Drejtësia, Liria e Siguria” janë padyshim dy ndër kapitujt që konsiderohen të një rëndësie jetike.

Kapitujt janë hapur të dy, por se kur do të mbyllen është çështje tjetër. Megjithatë, nëse në rrugën tonë jashtë vendit suksesin e përcaktojnë të tjerë aktorë, në Shqipëri ka vite që mbështetësit dhe kundërshtarët e reformës japin argumentet e tyre pro dhe kundër.

“Reforma në drejtësi, procesi i vettingut dhe harta e re gjyqësore kanë sjellë problematikat e veta me pakësimin e gjyqtarëve dhe shtimin e numrit të dosjeve në shqyrtim nga një gjyqtar, apo nga gjithë trupat gjyqësore. Kjo sjell dhe pasojat e veta, dashje dhe padashje, pasi me një numër të tillë dosjesh nga një gjyqtar është e vështirë, ose thuajse e pamundur për të pasur vendim të arsyetuar dhe dorëzuar në kohën e kërkuar nga ligji, përfundimin e gjykimit brenda afatit që ka përcaktuar ligji dhe të gjithë mundohen të mos gabojnë te pjesa cilësore”, u shpreh Elis Dine, avokat.

“Kjo reformë projektoi shkatërrimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Sot ne, pas 10 vitesh, vazhdojmë të mos kemi sistem drejtësie”, u shpreh Besnik Muçi, ish-prokuror.

“Reforma në drejtësi në Shqipëri u trajtua si një operacion shumë i vështirë që pacienti nuk po merr veten. Nuk ishin të përgatitur doktorët e sistemit të drejtësisë të parashikonin edhe komplikacionet pas operimit që i bënë reformës në drejtësi”, u shpreh Bledar Meminaj, avokat.

“Reforma në drejtësi në këndvështrimin tim dhe pritshmëritë e qytetarëve pritej që të kishte më shumë drejtësi dhe efikasitet në këtë sistem”, u shpreh avokati, Redi Ramaj.

Reforma në drejtësi e vitit 2016 solli ndryshime të rëndësishme në organigramën e gjykatave dhe mënyrën e organizimit të sistemit tonë të drejtësisë.

Sistemi gjyqësor përpara reformës në drejtësi ishte i organizuar në 38 gjykata të të gjitha niveleve: Gjykata e Lartë, 6 gjykata apeli me juridiksion të përgjithshëm, 22 gjykata të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, 1 gjykatë apeli administrativ, 6 gjykata administrative të shkallës së parë, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit të Krimeve të Rënda.

Pas ndryshimeve që solli harta e re gjyqësore, tashmë janë 20 gjykata gjithsej në të gjitha nivelet. Pra, ndryshimet shkrinë 18 gjykata.

“Reforma në drejtësi, procesi i vettingut dhe harta e re gjyqësore kanë sjellë problematikat e veta me pakësimin e gjyqtarëve dhe shtimin e numrit të dosjeve në shqyrtim nga një gjyqtar, apo nga gjithë trupat gjyqësore. Kjo sjell edhe pasojat e veta, dashje dhe padashje, pasi me një numër të tillë dosjesh nga një gjyqtar është e vështirë, ose thuajse e pamundur për të pasur vendim të arsyetuar dhe dorëzuar në kohën e kërkuar nga ligji, përfundimin e gjykimit brenda afatit që ka përcaktuar ligji dhe të gjithë mundohen të mos gabojnë te pjesa cilësore”, u shpreh Elis Dine, Kryetar i Gjykatës së Elbasanit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta