Inside Story/ Gjykatat do të vijojnë të mbeten të zbrazura edhe për disa vite, plani pesimist i KLGJ-së
Nga viti 2016, ka kaluar thuajse një dekadë dhe rezultatet e reformës në drejtësi nuk kanë qenë ata që janë pritur në mjaft segmente.
“Kanë kaluar 10 vite nga reforma në drejtësi dhe ne jemi në gjendje të bëjmë një analizë se çfarë ka prodhuar reforma në drejtësi”, u shpreh ish-prokurori, Besnik Muci.
“Sistemi në vetvete ka gjithmonë nevojë për përmirësime dhe reformë”, u shpreh avokati, Redi Ramaj.
Një prej kritikave lidhet me faktin se reforma nuk është shtrirë në të gjitha institucionet e mundshme. Një reformë e suksesshme në drejtësi, nuk duhet të kishte ndikim vetëm të një sërë institucionesh duke lënë të tjerët në harresë. Duket sikur reforma sot konsiderohet vetëm SPAK.
“Mendimi im në lidhje me reformën në drejtësi, nuk është se mund ta quajmë një reformë në drejtësi, por rimontim të drejtësisë. Sepse të quhej reformën duhet të kapte të gjitha skajet e mundshme, prokurorinë, gjyqësorin, avokatinë, por dhe të përfshinte pjesën e burgjeve dhe të kishte akses qytetari direkt te gjykata dhe të merrte vendim më të shpejtë dhe më të saktë. Gjë që nuk po ndodh në Shqipëri”, u shpreh avokati, Bledi Meminaj
Një ndër institucionet që është prekur nga reforma në drejtësi, madje, me pasoja të dhimbshme, është Gjykata Kushtetuese.
Për rreth 3 vite, institucioni që garanton ekuilibrin mes 3 pushteteve: legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, ishte jashtë funksionit. E gjitha pasojë e Vettingut që thuajse e zbrazi totalisht trupën me 9 anëtarë. Plotësimi i vakancave, zgjatej e zgjatej si pasojë e teknikaliteteve që nuk ishin parashikuar në reformën e re. E megjithatë, reformimi nuk prodhoi stabilitetin e pritshëm, por më shumë paqartësi dhe përplasje.
Tre anëtarë të Kushtetueses zgjidhen nga Presidenti, tre nga Kuvendi dhe tre nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. 1/3 e antarëve të Gjykatës Kushtetuese rifreskohen çdo 3 vite.
Sërish këto janë rregulla që mbeten në teori, pasi në periudhën tranzitore të reformës, me largimin e anëtarëve të saj për shkak të procesit të Vettingut, u bë një mish mash me zgjatje mandatesh, vakanca në përbërje, që vazhdojnë dhe sot e kësaj dite.
“Ne qëndruam 4 vite pa gjykatë të lartë, 4 vite pa gjykatë kushtetuese. Jemi vendi unikal në botë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe kemi qëndruar në këtë formë”, u shpreh Redi Ramaj.
Top Channel