Inside Story/ Gjykatat do të vijojnë të mbeten të zbrazura edhe për disa vite, plani pesimist i KLGJ-së
Sot Gjykata Kushtetuese ka 8 anëtare. Më i riu, është Asim Vokshi që u betua më 25 nëntor. Pra, sërish nuk është plotësuar krejt trupa e gjyqtarëve.
Për të arritur deri te zgjedhja e Vokshit u kalua në një proces të gjatë dhe shumë të komplikuar me shumë dritëhije rrugës. Gjyqtari i ri i Kushtetueses mori vendin e Holta Zaçajt, ish-kryetare e kësaj gjykate.
Zaçaj, nisi betejën ligjore për të zgjatur mandatin dhe të mos linte pozicionin. Ajo mori mandat të pjesshëm, pasi zëvendësoi në këtë detyrë më 25 janar 2023, Vitore Tushen, të cilës i kishte mbaruar mandati që më 10 mars 2017.
Ish-kryetarja, kërkoi mendim nga Komisioni i Venecias, pasi pretendonte të mbyllte mandate të plotë. Gjykata e Lartë ishte kundër. Diçka e tillë u mbështet dhe nga Kushtetuesja që e konsideroi të mbyllur mandatin e ish-kryetares më 10 mars 2025.
Gjykata e Lartë përmes Këshillit të Emërimeve në Drejtësi hapi garën dhe shqyrtoi 6 kandidatët për vendin e Zaçajt.
Pas procesit të pikëzimit kaluan për votim nga Gjykata e Lartë më 30 shtator 2025, 3 prej tyre: Asim Vokshi anëtar i Gjykatës së Lartë, Naureda Llagami ish kryetare e KLGJ dhe Florian Ballhysa ish Komisioner Publik i Vettingut.
Vokshi dhe Llagami u ndanë mes tyre me vetëm 0,2 pikë në një proces të konsideruar problematik. I pari mori 89.5 pikë, ndërsa e dyta 89.3 pikë.
Më 30 shtator 2025, u zhvillua votimi në Gjykatën e Lartë. Aty pati një përplasje tjetër edhe më të forte që komprometon të gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarit të ri të Kushtetueses, Asim Vokshi.
Të drejtë vote kishin 15 anëtarë të Gjykatës së Lartë të cilit ishin prezent. Asim Vokshi nuk mund të votonte. Llagami mori 9 vota, Vokshi 6 vota, Ballhysa asnjë vote. Praktikisht, anëtarja e re e Kushtetueses u zgjodh Llagami, në bazë të votave në kuti. Vokshi, dukej se nuk kishte as besimin e kolegëve të tij që e injoruan me votë në shumicë.
Pas një rinumërimi të çuditshëm, ndodhi një situatë e pazakontë. Një prej votave që shkonin për Llagamin u shpall e pavlefshme. Fjala është pikërisht për këtë vote…
Konsiderohet e pavlefshme sipas arsyetimit te komisionit, pasi nuk duhet të ketë asnjë shenje tjetër përveçse ne kuadratin ku shprehet vullneti. Duke qenë se është rrethuar edhe numri 2, që në fakt duket si përforcim i votës pro Llagamit, komisioni e quajti të pavlefshëm. Nuk dihet nëse do të ishte pro Vokshit si do të mund të quhej një votë e tillë…
Pikërisht ajo fletë, i dogji Llagamit kriterin e 3/5 të votave për emërimin si gjyqtare në Kushtetuese. Në bazë të pikëzimit, ishte Vokshi që mori pozicionin vakant. Por, për të vendosur kështu, u desh dhe ndërhyrja e kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, që gjatë numërimit ka një përplasje me gjyqtarët e tjerë.
Në audion e siguruar nga Top Channel, Sokol Sadushi ndërhyn pas kundërshtive në seancë për shpalljen e pavlefshme të votës. Ai shprehet se e ka komisioni në dorë votën. Kancelarja e Gjykatës së Lartë, Anisa Kulo, vendos për votën e pavlefshme.
Pra, sipas kësaj logjike për përzgjedhjen e një anëtari të Kushtetueses ka më shumë fuqi kancelarja e Gjykatës së Lartë se sa vetë Gjyqtarët. Kjo, ngre pikëpyetje në lidhje me komprometimin e gjithë procesit.
Llagami nuk u pajtua dhe nisi betejën ligjore. Kandidatja dorëzoi ankimim në Gjykatën e Administrative duke kërkuar pezullimin e vendimit që njeh Asim Vokshin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e Lartë kërkoi nga Gjykata Administrative të mos e marrë në konsideratë kërkesën, duke e quajtur precedent të rrezikshëm nëse ndodh.
‘Procesi i votimit eshte zhvilluar sipas rregullave të përcaktuara. Sipas nenit 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenit 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë i rrëzoi kërkesën Llagamit për sigurim padie me objekt pezullimin e zbatimit të vendimit që shpalli fitues Vokshin.
Gjyqtarja Semiramis Hoxholli vendosi nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit.
Naureda Llagami çoi më 14 tetor në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë me katër pika, me anë të së cilës kërkon që të fitojë pozicionin vakant të anëtares së Kushtetueses, Holta Zaçaj.
‘Kërkoj shfuqizimin e vendimit të Administratives dhe rigjykimin në gjykatë me një tjetër trup gjykues. Shfuqizimin e vendimeve të mbledhjes së Gjykatës së Lartë dhe shpalljen fituese të saj me 9 vota dhe pezullimin e vendimit të mbledhjes së 30 shtatorit të Gjykatës së Lartë që shpalli fitues Asim Vokshin’
Më 12 nëntor Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Naureda Llagamit duke i hapur rrugë emërimit të Asim Vokshit. Vetëm me 7 anëtarë që do të merrnin përsipër gjykimin, duke qenë se Holta Zaçaj ishte përjashtuar nga ky votim, nuk u arrit kuorumi i përgjithshëm dhe nuk kishte dakordësi të shumicës së gjyqtarëve. Që një vendim të konsiderohet duhet të ketë 5 vota minimalisht, duke llogaritur se Kushtetuesja ka 9 anëtarë, pavarësisht se ishin vetëm 7 në këtë proces.
Në vorbullën e kësaj situate, kolegët e departamentit të lajmeve në Top Channel, zbuluan një tjetër situate që lë vend për shumë interpretime. Kryetari i KED, gjithashtu edhe i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ia fshehu trupës prej 15 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë gjatë procesit të votimit një informacion të rëndësishëm për kandidatin Asim Vokshi.
Gjyqtari ka qenë informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës. I krijuar si një organ kolegjial me 9 anëtarë që duhet të verifikojë kushtet e kandidatëve që konkurrojnë për në kushtetuese, KED e drejtuar nga Sokol Sadushi dyshohet se nuk e kreu detyrën për verifikimin e gjyqtarit Asim Vokshi, emri i të cilit më pas i kaloi mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve.
Ky vendim i datës 17 qershor 2025 u dha në një kohë kur institucionet i kishin dorëzuar KED të dhëna komprometuese që tregonin se kandidati Vokshi nuk duhet të kualifikohej më tej mbasi ekzistonte një kriter ndalues parashikuar në pikën 89/c të vendimit numër 4, viti 2019.
Por me gjithë informacionin që duhet të ishte lexuar më pas nga KED si kriter ndalues, të dhënat nuk u vlerësuan, nuk u panë dhe u anashkaluan gjatë vlerësimit dhe gjyqtari Asim Vokshi u listua në datën 17 qershor 2025 për të vijuar garën.
Dorëzimi i kësaj të dhëne thuhet se ndodhi gjatë verifikimit të integriteti që përfshin disa institucione mes tyre prokurorinë e përgjithshme, DSIK dhe autoriteti për dokumentat e ish sigurimit të shtetit të cilët ndoqën protokollin dhe dorëzuan të dhënat e tyre. Por, nëntë anëtarët e KED nuk e panë dhe nuk lexuan duke e renditur të parin në listë Asim Vokshin.
Për rrjedhojë, pavarësisht këtyre pikëpyetjeve, Vokshi që nuk kishte as besimin e shumicës së kolegëve të tij në Gjykatën e Lartë, u betua para presidentit Bajram Begaj.
Gjatë procesit të vettingut, gjyqtari Vokshi ishte përballur me dneoncime që lidheshin me profesionalizmin dhe vështirësi në justifikimin e pasurisë. Por, pavarësisht këtyre, ai e kaloi procesin.
Betimi i Vokshit nuk mbyll hallet e Kushtetueses, sepse trupa sërish nuk është e plotësuar dhe pritet të ketë dy vakanca të reja. Presidenti Bajram Begaj Me 30 janar të 2025 i drejtoi një kërkesë Gjykatës Kushtetuese që kërkonte që këta të fundit të shpreheshin në lidhje me përfundimin e mandateve dhe mënyrën e rifreskimit gjyqtarëve njëherë në 3 vite.
Top Channel