Inside Story/ ‘Një jetë për drejtësi’, statistikat e frikshme të stokut të dosjeve në gjykata
Gjyqtarët e rinj që afrohen në sistem përballen menjëherë me një fluks të pamenduar pune që ndikon negativisht te ta.
Duke llogaritur edhe mungesën e përvojës te ata, pasi vijnë nga Shkolla e Magjistraturës, duhet të adoptohen menjëherë me ngarkesën e pajustifikueshme të dosjeve.
“Momentalisht situata në Gjykatën e Elbasanit ka ardhur duke u stabilizuar dhe përmirësuar, pasi muajin e kaluar janë emëruar 7 gjyqtarë të rinj, duke e plotësuar ndjeshëm numrin, pasi nga 9 gjyqtarë jemi bërë 16. Ende ka vakanca, pasi organika është 18 gjyqtarë”, u shpreh Elis Dine, Kryetar i Gjykatës së Elbasanit.
“Sot një gjyqtar me 3 vite shkollë magjistrature dhe 3 vite eksperiencë futet në sistem dhe i ngarkohen diçka mbi 1000 dosje, direkt 1300-1700 dosje, aq ka shkuar Gjykata e Tiranës. Si mundet një i ri të përballet me një fluks kaq të madh dosjesh dhe duhet të japë drejtësi në fund të ditës”, u shpreh Elis Dine, Kryetar i Gjykatës së Elbasanit.
“As mjekun, inxhinierin, nuk e bën dot direkt, as gjyqtarin sigurisht. Prandaj profesioni i gjyqtarit është i patundshëm në vendet demokratike, ndërsa ne e heqim dhe e vendosim sipas preferencave”, u shpreh Besnik Muçi, ish-prokuror.
Megjithatë, KLGJ thotë se ka aplikuar një sërë mekanizmash për të garantuar funksionalitetin e gjykatave, të tilla si: skema e delegimit, transferimet e përkohshme dhe ato nëpërmjet procedurës së lëvizjeve paralele, caktimit të gjyqtarëve për çështje të veçanta në gjykata të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme. Gjatë këtij viti sistemit gjyqësor iu shtuan edhe 42 gjyqtarë të rinj.
Në tri vitet e ardhshme pritet që sistemit t’i bashkohen edhe 70 gjyqtarë të tjerë, duke iu referuar numrit të projeksioneve si më poshtë:
40 kandidatë për gjyqtarë pritet të futen në sistem në vitin 2026.
20 kandidatë për gjyqtarë pritet të futen në sistem në vitin 2027.
10 kandidatë për gjyqtarë pritet të futen në sistem në vitin 2028.
Nëse i referohemi shifrës me 109 vakanca nëpër gjykata, këto statistika zyrtare zbulojnë se sistemi do të vuajë edhe për shumë vite të tjera. Sipas parashikimit më optimist të KLGJ do të plotësohen vetëm 60% e vakancave në 3 vitet e ardhshme. Kjo do të thotë se do të mbeten ende 39 vakanca deri në 2029-ën, që përkon me vitin e 13-të të reformës.
Top Channel