Dyshohet se vodhën fondet publike për punë fiktive, çfarë zbuloi Prokuroria për 5 zyrtarët e Bashkisë së Tiranës, ‘teknika’ që përdornin 

10/12/2025 12:30

Prokuroria e Tiranës ka vendosur masa sigurie për pesë zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe tre përfaqësues të kompanive private, pas hetimeve për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, e cila ka siguruar edhe dosjen hetimore, raporton se bëhet fjalë për Aurel Cuko, Drejtor i Përgjithshëm i emergjencave civile, Bashkia Tiranë, Elehana Guce, Përgjegjëse e sektorit te kompensimit nga fatkeqësive natyrore, Rexhina Rakipi, specialiste IMT, Sokol Qehahaj, Specialist IMT, Aleksandra Mahmutllari, Mbikëqyrëse Punimesh, Shyqyri Maloku, Subjekt privat dhe Fatmir Firi, Subjekt privat.

Hetimi zbuloi se disa përfaqësues të kompanive private, të kontraktuar për punimet, paraqitën punime fiktive dhe dokumente të rreme, duke shkaktuar dëm financiar për buxhetin e Bashkisë, si dhe disa punonjës të IMT-së nuk verifikuan në terren gjendjen reale të objekteve, por bazuan preventivat vetëm në dokumente ekzistuese.

Në dosjen hetimore theksohet se shkresa e hartuar paraqet rrethana të rreme në përmbajtjen e saj, ku përshkruhet fillimi i punimeve për demolimin e 15 pallateve, në një kohë që 6 objekte, përfshirë edhe pallatin 140 (që ishte në hetim fillimisht), nuk ishin fare objekte në fazë demolimi, pasi ishin demoluar që në muajin janar 2021 nga mjetet e Bashkisë Tiranë.

“Për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” shtetasi Fatmir Firi dhe për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248, për përfaqësuesit e Drejtorisë së Emergjencave Civile, Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve në Bashkëpronësi, Administrimit të NUA dhe Emergjencave Civile, Drejtor i Përgjithshëm Aurel Çuko, Drejtor Aurel Boriçi, si dhe Sektori i Politikave të Kompensimit nga Fatkeqësitë Natyrore, Përgjegjëse Sektori Eleana Jupaj”, thotë prokuroria.

Në një analizë të hollësishme të gjithë gamës së veprimeve hetimore, që përfshijnë deklarimet e ndryshme, administrimin e dokumentacionit, këqyrjet dhe aktet e ekspertimit, mund të arrihet në konkluzionin si më poshtë:
Në muajin janar 2021 janë shembur 6 objekte nga Bashkia Tiranë, duke përfshirë edhe pallatin 140, që fillimisht ishte objekti i vetëm i hetimit.

Më pas, në muajin mars 2021, nga ana e Këshillit Bashkiak është miratuar fondi për “Demolimi dhe evadimi i mbetjeve ndërtimore” për 15 (pesëmbëdhjetë) pallate, duke përfshirë edhe objektet e demoluar më parë, që në muajin janar, nga Bashkia Tiranë.

Në vijim është bërë tenderi, duke e fituar subjekti “Arb&Trans-2010” sh.p.k & “KLAJGER KONSTRUKSION” sh.p.k dhe mbikëqyrës i punimeve subjekti “MAGING Studio” sh.p.k, përfaqësuar me prokurë BOE nga inxh. Aleksandra Mahmutllari, dhe është nënshkruar dorëzimi i sheshit të ndërtimit dhe situacionet e punimeve përkatëse, duke përfshirë edhe punime të demolimit dhe evadimit të mbetjeve edhe për objektet që ishin të demoluar që në muajin janar 2021, duke paraqitur kështu rrethana të rreme, punime fiktive dhe shkaktuar dëm në vlerë monetare buxhetit të Bashkisë Tiranë me disbursimin e fondeve publike për punime fiktive.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta