Tradita vazhdon, hapet sondazhi për Personazhin e Vitit 2025
Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar me 16 vite burg, Mario Përlleshaj për vrasjen e Martin Canit.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat raporton se Mario Perlleshaj është dënuar me 12 vite për vrasjen e Martinit dhe 10 vite për tentativën e vrasjes së Luisit, por në bashkim të dënimeve përfundimisht u dënua me 16 vite heqje lirie. Përlleshaj, u shpall fajtor për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj Martin Canit, si dhe fajtor për vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë ndaj Luis Meçes.
Në seancë morën pjesë vetëm babai i të ndjerit Martin Cani dhe Luis Meçja.
U vendos:
1. Deklarimin fajtor të të miturit në konflikt me ligjin M. P., për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79, germa “a” i Kodit Penal, në dëm të viktimës së mitur M. C., dhe në bazë të këtij neni, nenit 51 të Kodit Penal dhe nenit 97/2 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të miturit në konflikt me ligjin M. P., për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79, germa “a” e 22 i Kodit Penal, në dëm të viktimës së mitur L. M., dhe në bazë të këtij neni, nenit 51 të Kodit Penal dhe nenit 97/2 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
3. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, caktimin e një dënimi të vetëm ndaj të miturit në konflikt me ligjin M. P., dhe dënimin e tij përfundimisht me 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim.
4. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij, në datë 18.11.2024 dhe pjesa e pavuajtur e dënimit do të vuhet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale për të mitur.
Top Channel