Olympiacos ka arritur një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Kairat Almaty në “Astana Arena”, duke mbajtur gjallë ambiciet për t’u futur në 24-shen e fazës së ligës dhe për të avancuar në fazat eliminatore të Ligës së Kampionëve.

Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Gelson Martins në minutën e 73-të, me një goditje të shkëlqyer nga një pozicion i vështirë, pas një aksioni të nisur nga Mouzakitis dhe pasimi të saktë të Taremit. Ky është triumfi i parë i Olympiacosit në këtë fazë të kompeticionit, si edhe fitorja e parë në transfertë në Champions pas dhjetë vitesh.

Skuadra e Mendilibar dominoi për pjesën më të madhe të ndeshjes, duke krijuar raste të shumta që nga minutat e para. Ciquinho, El Kaabi dhe vetë Martins kërcënuan disa herë portën e Anarbekov, i cili bëri disa pritje vendimtare. Në minutën e 14-të, shtylla i mohoi golin Martinsit, ndërsa El Kaabi pati dy mundësi të arta që u ndalën nga portieri.

Në pjesën e dytë, Kairat u përpoq të reagonte, por Olympiacos rriti presionin dhe kontrolloi plotësisht lojën pas shënimit të golit. Në minutat 76 dhe 79, ekipi grek ishte shumë pranë golit të dytë, por Taremi dhe El Kaabi u ndalën nga Anarbekov dhe nga shtyllat e portës.

Në fund, Olympiacos menaxhoi rezultatin dhe mori tre pikë jetike, duke qëndruar në garë për një vend në fazën tjetër të Champions League.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta