Të rinjtë ‘pushtojnë’ Piramidën për 8 dhjetorin, Gonzato: Nxitoni për reformat, BE në krahun tuaj

08/12/2025 19:41

Piramida e Tiranës, godina që deri 35 vite më parë shërbente si muze për ish-diktatorin Enver Hoxha, sot u gjallërua nga mijëra të rinj që festuan ditën dedikuar atyre.

I konceptuar si një festival idesh, nxënës të shkollave 9-vjeçare e gjimnaze dhe vullnetarë nga shoqata të ndryshme u prezantuan me projektet e tyre, nga punimet artizanale te piktura, libri e teknologjia.

 “Jam shumë e lumtur që rinia merret me projekte të tilla, duke provuar veten në sfida, jo vetëm në artizanat dhe thjesht të dalim nga zona komforte e tyre”, u shpreh një nga vajzat.

Jo vetëm ambicia për të shprehur talentin, por edhe dëshira për të ndihmuar më të dobët, këtë 8 dhjetor mesazhin më të fortë e përcjellin vetë të rinjtë.

“Të gjitha të ardhurat që do të mblidhen nga shitja e produkteve, do të shkojnë për një kauzë të veçantë, ‘Holiday in a box’, kemi për synim të bëjmë dhurata për fëmijët, sidomos për fëmijët në zonat rurale”, tha një vajzë tjetër.

Megjithatë, në ceremoninë e hapjes, vëmendjen më të madhe e mori Inteligjenca Artificiale. Hana, avatari i Agjencisë Kombëtare të Rinisë prezantoi të ftuarit….

“Shqipëria e sotme dhe ajo e nesërme bazohet mbi energjinë, talentin dhe përkushtimin tuaj. Le të jetë kjo një ditë si një thirrje për të ecur përpara me besim, bashkëpunim dhe vizion”, deklaroi ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhe.

Duke kujtuar thirrjen që priu protestën e studentëve në dhjetorin e ‘90, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, përballë të rinjve, ambasadori i BE në vendin tonë theksoi nevojën për përshpejtimin e reformave të kërkuara, me qëllim integrim në union.

“Kjo është thirrja ime për ju, që reformat të sjellin rezultate të vërteta dhe konkrete për t’i dhënë fund korrupsionit, për t’i thënë fund mosndëshkueshmërisë dhe për të luftuar krimin e organizuar. Dhe që të ndodhin të gjitha këto, duhet të përshpejtohen punët, duhet të mobilizoheni për më shumë, përndryshe nuk ka për të ndodhur, por ne na keni përkrah”, tha Silvio Gonzato.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta