BE-ja gjobiti platformën X me 120 milionë euro, reagon Trump: Evropa po shkon në drejtime të këqija, duhet më shumë kujdes

08/12/2025 22:38

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e quajti “një gjobë të keqe” sanksionin e vendosur ndaj kompanisë së mediave sociale X, në pronësi të Elon Musk, nga rregullatorët e teknologjisë së Bashkimit Evropian, duke thënë se nuk kuptonte se si mund të justifikohej një vendim i tillë.

Platforma X u gjobit me 120 milionë euro  javën e kaluar për shkelje të rregullave të përmbajtjes online.

“Evropa po shkon në disa drejtime të këqija,” u tha Trump gazetarëve gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se priste të merrte një raport të plotë mbi këtë gjobë më vonë gjatë ditës.

“Nuk e kuptoj se si mund ta bëjnë këtë,” tha presidenti amerikan, duke theksuar se Musk nuk e kishte kontaktuar për të kërkuar ndihmë. “Evropa duhet të jetë shumë e kujdesshme,” shtoi ai.

Sipas ‘Reuters’, javën e kaluar, Musk e kundërshtoi publikisht ndëshkimin në platformën e tij, duke komentuar “Gabim” nën njoftimin e Komisionit Evropian për gjobën dhe duke ripostuar mesazhe kritike ndaj vendimit.

“Liria e fjalës është themeli i demokracisë. E vetmja mënyrë për të ditur për çfarë po voton,” shkroi Musk.

Zyrtarë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe kreun e FCC-së Brendan Carr, e denoncuan vendimin, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj kompanive amerikane.

Shefja e teknologjisë së BE-së, Henna Virkkunen, mbrojti masën duke e cilësuar “proporcionale”, ndërsa Komisioni Evropian theksoi se legjislacioni nuk synon asnjë kombësi specifike, por mbron “standarde digjitale dhe demokratike”.

Në të njëjtën kohë, TikTok, i akuzuar në maj për probleme të ngjashme me depozitën e reklamave, shmangu një gjobë duke premtuar përmirësime dhe kërkoi që rregullat të zbatohen njësoj për të gjitha platformat.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta