Opinion/ Preç Zogaj: A do të bëjë Berisha në foltoren e dytë një bilanc të së parës?
Nga Alda Bardhyli
Nëse do të bënim një formulim të thjeshtë për të përmbyllur një skemë prezantimi, mund të thoshim se marrëdhëniet midis kulturës europiane dhe kulturës shqiptare kanë qenë gjithmonë në dinamika të plota ose të pjesshme ndërlidhjeje, të ndërtuara mbi rrethana historike, kontekste politike dhe sociale. Por kjo do të ishte një reduktim i këtij topiku, i cili në rastin e vendit tonë, Shqipërisë, paraqitet tepër kompleks.
Integrimi europian i vendit tonë duket se ka hapur një hapësirë të re bashkëpunimi e reflektimi mes kulturave tona, por njëkohësisht ka nxjerrë në pah sfida që lidhen me identitetin, vlerat dhe mënyrën e jetesës se palëve që, po të ruajmë kursin e prezantimit formal janë asimetrike në disa aspekte si: Ruajtja e identitetit tonë kulturor, pra një nga sfidat kryesore mbetet ruajtja e traditave shqiptare në një mjedis ku vlerat europiane të modernitetit që ndërfuten, të individualizmit dhe diversitetit shoqëror, janë shumë të forta për t’u përthithur lehtësisht nga kultura jonë.
Sakaq, kultura shqiptare mbështetet (siç paragjykohet) ndjeshëm në elementë si familja e gjerë, mikpritja, zakonet dhe lidhjet e forta të njohjes fisnore e kolektive, mitizime etj.
Edhe kjo nuk është absolute, ka vend për diskutim kontrovers, siç edhe e pararendova.
Është fakt se kultura europiane, ndërkohë, promovon më shumë pavarësinë individuale dhe një strukturë më të decentralizuar shoqërore në të gjitha elementet e veta, gjë që i jep një platformë shkëputjeje të favorshme artit, pra, artistit.
Do të duket disi absurde por përplasja sot, nëse vërtet ekziston një dallim i thellë, siç paragjykohet, nuk është ajo mes kulturës shqiptare dhe asaj europiane, por është mes dy Europave, Europës europiane dhe Europës radikale që Europa ndërtoi me nacional-komunizmin në Shqipëri; ishin pikërisht idetë komuniste që ajo transmetoi dhe instrumentalizimi i tyre që u realizua në Bashkimin Sovjetik, i cili doli fitues, por i dërrmuar dhe i izoluar nga Lufta e Dytë Botërore, pra struktura dhe semantika dogmatike ideologjike që u përdorën si në gjithë Lindjen edhe në vendin tonë, duke konstruktuar radikalisht shoqërinë; por në vendin tonë me mënyrën më ekstreme:
Së pari, eliminimi i elitave atdhetare dhe intelektuale europiane — burgosje, internime, ekzekutime, shfarosje e rrjeteve të dijes. Mbyllja e institucioneve fetare — kthimi i kishave, xhamive dhe institucioneve kulturore në objekte rifunksionale, pra për përdorim tjetër.
Kontrolli i edukimit dhe i formimit — programet shkollore u riformatuan për të prodhuar qytetarin e ideologjizuar; mësimdhënia u bë mekanizëm indoktrinimi. Monopolizimi i kujtesës historike — ripërpunimi i historisë, ndërtim mitesh të reja dhe fshirje të kujtesës së gjatë kolektive.
Izolimi gjeopolitik — prishja e rrjeteve lidhëse ndërkombëtare të literaturës, të gjitha këto shkaktuan mungesë stimujsh dhe shkëmbimesh që do të lehtësonin përtëritjen e latencies europiane si bashkëjetim i natyrshëm me atë të kulturës sonë.
Urbanizimi kryhej edhe ky me luftën e klasave dhe partishmërinë në qendër.
Kjo ishte HiperEuropa që ndërtoi Perëndimi pas Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë: me njeriun e ri dhe lirinë e tij në emër të barazisë pa dallim. Dhe ky kiç i ndërtuar nga historia, me hir dhe me pahir, është sfida kryesore dhe e pafolshme mes dy kulturave të Perëndimit dhe të Lindjes, që nga Rusia deri në cepin më të largët të Ballkanit, njeriu me rrënjë të këputura dhe quasi-europian. I gjendur për gjysme shekulli në një truall shkrimi pa mbrojtje, pa elitë, pa kapital kulturor të besueshëm, pa aleatë shpirtërorë, në një vakum që u mbush nga forma më barbare e modernitetit: totalitarizmi!
Pas 500 vitesh shkëputjeje nga Europa, por jo nga rrënjët e veta, Shqipëria gjeti udhëtimin e saj kulturor drejt Europës.
Një brez i tërë intelektualësh kthejnë kryet, devocionin, riprezantimin, veprat me orientim drejt Europës. KËTË BREZ e lidhin ME LETËRSINË EUROPANE një seri ngjarjesh si?
1. Formimi i tyre akademik në Perëndim
Të gjithë studiuan jashtë vendit dhe u ekspozuan ndaj kulturës, kritikës, filozofisë dhe letërsisë perëndimore. Përkthimet qe ata sollën nga Europa, tekste monumentale — nga Homeri te Shekspiri, nga Goethe te Baudelaire.
2. Krijuan gjini moderne
Prozën moderne dhe atë urbane, poezinë simboliste, kritikën letrare dhe profesioniste.
3. Ndërtuan një gjuhë estetike të re. Faik Konica u bë diplomati i kulturës shqipe, u formua në edukim ndërkulture, Francë, Turqi. Stili i tij u formua nga kritika franceze dhe estetika e prozës moderne. Ai themeloi revistën Albania, tërësisht europiane. Noli, një nga figurat më poliedrike të kulturës shqiptare, përktheu Shekspirin, Servantesin, Poen dhe Long Fellow.
Lasgushi që studioi në Grac solli në poezi elemente nga simbolizmi europian, romantizmi i vonë gjerman, duke ndërfutur lirizmin ballkanik të universalizuar. Koliqi futi strukturat e shkurtra moderne me teknikat narrative të prozës italiane. Gjithashtu solli finesë në krijimet e tij.
Fishta përdori metra klasike europiane për të krijuar poemën epike “Lahuta e Malcis”. Migjeni solli realizmin kritik.
Por, ky vazhdim ndërkulture u pre si me thikë nga Lufta e Dytë Botërore, siç e thamë.
Konica, Koliqi u ndaluan si autorë, Kuteli i rrëfimit magjik u persekutua, letërsia moderne u censurua dhe u imponua realizmi socialist, si metodë artistike.
Kështu shteti mori në dorë monopolin e kulturës, radikalizoi gjuhën dhe me të e përçau shoqërinë, implementoi ateizmin dhe bllokoi kujtesën. Këtu dhe u pre vazhdimësia e nevojshme që një kulturë të burojë nga elementi i vet dhe të gjejë burime sensi në kulturat e tjera. Ndërsa jemi pak nga pak të vetëdijshëm për tragjizmin tonë kulturor, nuk mund të themi se njohim dramën e kulturës europiane, kulturë e cila vazhdimisht është shoqëruar nga luftëra nacionale dhe perandorake. Koha po ecën në mënyrë të shpejtë e kaq të pamëshirshme për identitetet kulturore.
Vetë Europa gjendet në një vërshim letërsie ndërkulturore prej emigrantëve që kanë vërshuar nga e gjithë bota. Kjo ndërkulturë po sjell ngjyra dhe problematika temash njerëzore nga më të pabesueshmet për nga ngjizja e kujtimeve me gjuhën. Qendra e Librit ka promovuar p.sh. disa autorë shqiptarë që shkruajnë italisht me subjekte të përjetuara në Shqipëri. Ne kemi një plejadë artistësh europianë shqiptarë që jetojnë në Europë, shkruajnë me gjuhet e Europës por subjekte, pra, substancat e rrëfimit merren nga Shqipëria.
Në shekullin XXI është e vështirë të flasësh për identitete të mirëfillta, por edhe nëse do të flisnim, sepse edhe kemi identitet edhe pse në ndërkulturë, do të thoshim se eksperienca e regjimit të vjetër, hapja ndaj botës dhe emigrimi kaq shumë i dallueshëm për vendin tonë, edhe në dekadën e fundit, e bëjnë atë një vend të plurikulturalizmit individual, që është një formë inverse e multikulturës që realisht Shqipërisë i mungon. Duke e përmbledhur mund të themi se nuk mund të kemi një integrim të pastër europian kulturor, qoftë nga të dyja anët, për arsyet që përmendëm më sipër.
Nga një këndvështrim historiko-filozofik, marrëdhënia mes kulturës europiane dhe kulturës shqiptare sot nuk mund të jetë një marrëdhënie e thjeshtë adaptimi. Ajo është një marrëdhënie e ndërprerë, e rikthyer, e deformuar dhe njëkohësisht e rigjetur, mes të dyja këtyre kulturave dhe mund të guxojmë të themi, edhe brenda tyre.
Të gjitha këto sfida historike që kemi kapërcyer na japim kapacitet të lartë integrimi, sepse jemi agile, kapacitet të ulët kohezioni, sepse jemi të shtypur, individualizëm të fortë, sepse jemi të papërsëritshëm në linjën që na vuri historia.
Roli i një Qendre Libri në lidhjen kulturore, siç është Qendra jonë, mund të përqendrohet akoma më shumë në rikthimin dhe ruajtjen e vijueshmërisë kulturore, në arkivimin e dorëshkrimeve, librave të rrallë, revistave, dokumenteve historike dhe materialeve që ndihmojnë vazhdimësinë logjike e metodike të kulturës shqiptare. Të krijojmë hapësirë ku qytetarët mund të studiojnë lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Europës, duke kuptuar influencat e shkrimtarëve, filozofëve dhe besimit.
Të vazhdojmë dialog midis kulturave përmes përkthimeve, ligjëratave dhe cikleve letrare që mund të tregojë se si kultura shqiptare është pjesë e Europës dhe si identiteti europian është i ndërtuar mbi ndërthurje kulturash, ku e jona është pjesë e pandarë dhe po aq sui generis.
Të organizojmë debate mbi sfidat e kohës: emigracioni, pluralizmi, identiteti i përzier dhe izomeret kulturore. Qendra mund të jetë laboratori ku artistë, shkrimtarë dhe studiues të rinj ndërtojnë projekte që lidhin elementë të traditës shqiptare me format dhe idetë europiane bashkëkohore.
Top Channel