Sekuestrohet 3.4 ton kokainë në Peru, ngarkesa ishte e destinuar për në Belgjikë

07/12/2025 17:16

Policia antidrogë e Perusë ka sekuestruar 3.4 ton kokainë që dyshohet se ishte fshehur në një dërgesë me banane që shkonte për në Belgjikë, thanë autoritetet të shtunën.

“Si pjesë e një operacioni të fuqishëm kundër trafikimit të drogës, Policia Kombëtare Peruane sekuestroi 3,407 kilogramë kokainë hidroklorur në rajonin Piura, duke parandaluar kështu dërgesën e saj jashtë vendit”, tha Ministria e Brendshme në një deklaratë.

Droga e sekuestruar vjen nga rajoni i madh i kultivimit të bimës koka, i njohur me akronimin VRAEM (Lugina e lumenjve Apurimac, Ene dhe Madaro), tha presidenti José Jerí.

Në operacionin e së mërkurës, policia sekuestroi një kamion që mbante më shumë se 3,000 pako kokainë të destinuara për një depo ku kuti me banane po paketoheshin për eksport, rreth 100 kilometra nga porti i Paitës, thanë autoritetet.

Gjenerali Nilton Santos, kreu i agjencisë antidrogë, i tha TV Perú se operacioni u krye me ndihmën e Agjencisë Amerikane të Zbatimit të Ligjit për Drogën (DEA).

Ai vuri në dukje se vlera e drogës së sekuestruar tejkalonte 68 milionë dollarë.

Sipas një deklarate nga presidenca peruane, pas kësaj ngarkese qëndron një organizatë kriminale e qytetarëve peruanë, kolumbianë dhe evropianë, e cila kishte për qëllim dërgimin e drogës në Belgjikë.

Sipas OKB-së, Peruja, së bashku me Kolumbinë dhe Bolivinë, është ndër prodhuesit kryesorë të kokainës në botë. Sipas autoriteteve peruane, vendi thuhet se prodhon rreth 400 ton drogë çdo vit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta